Trajneri i Liverpoolit, Roy Hodgson është shprehur i lumtur që sulmuesi i tij, Fernando Torres nuk luajti shumë minuta në ndeshjen miqësore që Spanja e zhvilloi ndaj Argjentinës.
Hodgson kishte kërkuar nga trajneri spanjoll, Vicente Del Bosque që të mos e ftoj fare Torresin, mirëpo ai është dashur ta ftoj atë.
“Unë fola me trajnerin e Spanjës, por ishte e pamundur të mos e ftonte. Ishte i obliguar t’i kishte të gjithë lojtarët, pasi nëse Torres nuk do të ftohej atëherë do të kërkonin edhe disa futbollistë të tjerë të mëdhenj të mos udhëtojnë për këtë ndeshje. Por, fatmirësisht, Torres luajti vetëm një pjesë të ndeshjes, dhe kjo i shkoi për shtati planit tim. Tani do të punojmë me Torres në skuadrën e Liverpoolit, dhe do të kemi më shumë kohë të përgatitemi”, ka thënë Hodgson.



