Përdoren gjethet e thara, të cilat mblidhen në periudhën e lulëzimit dhe thahen në hije; lëvorja e degëve të njoma, lulet mashkullore si dhe kokrrat.
Kokrrat e gështenjës kanë vlerë të lartë ushqyese e dietetike. Ato përmbajnë rreth 40% niseshte, kur janë të freskëta. Gështenjat përdoren të freskëta, të ziera, të pjekura ose të përpunuara.
Kokrrat e gështenjës, të ziera a të pjekura, kanë veti të mira rrudhëse dhe rregullojnë funksionimin e stomakut dhe të zorrëve, treten lehtë dhe ndihmojnë në tretjen dhe të ushqimeve të tjera, duke aktivizuar organet dhe gjëndrat e tretjes. Përdoren me efekt të mire në rastet e heqjes së barkut ose diarresë. Veçanërisht këshillohen për fëmijët e vegjël disavjeçarë, për të normalizuar procesin e tretjes, kur karakterizohet nga mjaft çrregullime.
Gjethet e gështenjës kanë gjetur një përdorim të mire si zbutës të rrugëve të frymëmarrjes dhe qetësues të kollës.
Merren 30 gjethe gështenje dhe zihen në 200 ml. ujë derisa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Nga lëngu i fituar pihet një filxhan kafeje 1-2 herë në ditë.
Në rastet e mosmbajtjes së urinës ndiqet këshilla:
Merren një grusht gjethe dhe një grusht lëvore degësh të gështenjës dhe zihen në një litër ujë për gjysmë ore. Nga lëngu i fituar pihen nga një filxhan çaji në mëngjes, duke qenë esëll, për 10-15 ditë.
Çaji me gjethet e gështenjës ka veti tonike dhe jep rezultate të mira në stomak, si tretës dhe si nxitës për hapjen e oreksit. Bën mire posaçërisht kundër heqjes (shkuarjes) së barkut. Ndikon edhe për uljen e temperaturës.
Lëvoret e degëve të gështenjës janë një ilaç i mire kundër çdo forme të dizenterisë, edhe në rastet me hemorragji:
Merren 30-80 gramë lëvore degësh dhe zihen në një liter ujë, për gjysmë ore. Pihen 3-4 gota gjatë ditës.
Ky çaj përdoret me shumë dobi edhe kundër dhimbjeve të syve, duke i shpërlarë së jashtmi me të.



