Fiku është një fryt i këndshëm dhe i ushqyeshëm. Përdoret i freskët, i tharë dhe i përpunuar në produkte të ndryshme, si: marmelatë, reçel, pekmez, raki, bukëfiqe etj.
Përmban shumë karbohidrate, që në fiqtë e thatë arrijnë mbi 60%, si dhe albumina e yndyra. Fiqtë e njomë kanë mjaftë vitaminë C, pro-vitaminë A dhe hekur. 100 gram fiq japin rreth 250 kalori.
Fiqtë rekomandohet të përdoren nga personat e dobësuar, nga anemikët dhe nga ata që e ndiejnë shumë të ftohtët: ata i japin organizmit force dhe nxehtësi. Nuk këshillohet të përdoren nga ata që vuajnë nga sëmundja e sheqerit.
Përdorim të mire në mjekësinë popullore kanë gjetur fiqtë kundër kapsllëkut:
Në mëngjes, duke qenë esëll, hahen disa kokrra fiq, pasi të pihet më pare një gotë ujë i freskët. Kjo nuk rekomandohet për ata që vuajnë nga diarreja (jashtëqitja).
Në rastet e acarimit të faringut, të mishrave të dhëmbëve dhe të rrugëve të frymëmarrjes, lëngu i përgatitur nga zierja e fiqve, jep rezultate shumë të mira.
Qumështi i fikut ka gjetur përdorime praktike për heqjen e kallove, si dhe për lyerje kundër reumatizmave e dhimbjeve të tjera artritike.
Qumështi i fikut të egër përdoret me efekt për zhdukjen e lythave nga sipërfaqja e duarve ose e këmbëve, për këtë:
3-4 herë në ditë lyhen me qumësht fiku të egër, për 4-5 ditë radhazi, deri sat ë bien vetiu.
Gjethet e njoma të fikut kanë veti terapeutike shumë të mira kundër sëmundjes së astmës (astmë: sëmundje e karakterizuar nga vështirësi në frymëmarrje.) Në këto raste:
Merren 1-2 gjethe të freskëta dhe zihen në 200 ml. ujë gjersa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Lëngu i fituar pihet në darkë para gjumit, ose në mëngjes esëll.



