Studimi i ri përcolli 3,097 fëmijë nga lindja e deri në moshën 6 vjeçare
Fëmijët të cilët kalojnë vitet e para të jetës së tyre në çerdhe, mund të jenë më të rrezikuar nga paraqitja e ekzemës, sesa fëmijët që rrinë në shtëpi, thotë një studim i ri gjerman.
Ekzema është një emër i përbashkët për disa ndryshime të lëkurës, që karakterizohen nga skuqja, urtikaria dhe të kruarit. Sipas statistikave botërore, 10-20% të fëmijëve vuajnë nga ekzema.
Një numër studimesh të mëparshme kishin treguar se ekzema ishte më e shpeshtë te fëmijët e ish Gjermanisë lindore, sesa te pjesa tjetër e këtij vendi, thotë Dr. Claudia Cramer nga instituti IUF (Institut fur Umweltmedizinische Forschung) në Dyseldorf. Duke pasur parasysh se fëmijët e pjesës lindore të Gjermanisë më shumë kalojnë kohë në çerdhe, Cramer dhe kolegët e saj filluan studimin për të parë se a ndikon qëndrimi në çerdhe para moshës dy vjeçare në paraqitjen e ekzemës.
Studimi i ri përcolli 3,097 fëmijë nga lindja e deri në moshën 6 vjeçare. 13% e fëmijëve të ish Gjermanisë lindore të moshës deri 4 vjet janë të diagnostikuar me ekzemë, krahasuar me vetëm 8% nga Gjermania perëndimore. 55% e fëmijëve nga ish Gjermania lindore, gjatë dy viteve të para të jetës së tyre, kanë qëndruar në çerdhe, krahasuar me vetëm 6% të fëmijëve nga pjesa perëndimore e Gjermanisë.
Besohet se kjo vjen për shkak se fëmijët në çerdhe ekspozohen ndaj një numri më të madh të alergjenëve dhe mikroorganizmave, sesa fëmijët që rrinë në shtëpi. Fëmijët në çerdhe mund të jenë edhe më të stresuar, gjë që ndikon në paraqitjen e ekzemës.



