Por, kjo nuk dmth që pacientët dhe mjekët menjëherë duhet ta ndërpresin përdorimin, respektivisht përshkrimin e barnave të lartpërmendura, të cilat kryesisht përdoren nga pleqtë
Njerëzit që për më shumë se pesë vjet përdorin ilaçe kundër osteoporozës, të quajtura bisfosfonate, mund ta dyfishojnë rrezikun e paraqitjes së kancerit të ezofagut, thonë shkencëtarët britanikë, të cilët kanë bërë një studim të ri.
Kërkuesit shkencorë kanë thënë se rezultatet e këtij studimi janë shqetësuese, por nuk duhet që pacientët dhe mjekët menjëherë të ndërpresin përdorimin e barnave të lartpërmendura, të cilat kryesisht përdoren nga pleqtë, me qëllim të forcimit të eshtrave të dobët të tyre.
"Ne duhet të shqetësohemi, por ky është studimi i parë i madh që ka ardhur deri te ky zbulim", thotë Jane Green nga Njësia e epidemiologjisë së kancerit pranë Universitetit të Oksfordit. Studimi i ri është botuar në revistën “British Medical Journal”.
"Për shkak se kanceri i ezofagut është i rrallë, atëherë edhe dyfishimi i këtij rreziku, prapëseprapë do të ishte i vogël”, shton ajo.
Bisfosfonatet janë një grup ilaçesh të cilat parandalojnë thyerjen e eshtrave pas menopauzës dhe te personat me osteoporozë. Në Evropë dhe Amerikën veriore, incidenca për kancer të ezofagut është 1 në 1.000 njerëz.



