Moster ka deklaruar se nuk dihet ende arsyeja pse paraliza cerebrale paraqitet më shpesh te fëmijët e lindur në javën 37 ose 38 të shtatzënësisë, apo pas 42 javësh
Bebet që lindin pak para kohe, apo pasi që u ka kaluar termini, janë më të rrezikuara nga paraliza cerebrale, gjë që është konstatuar pas një studimi të ri në rreth 1.7 milionë fëmijë norvegjezë.
"Është me rëndësi të theksohet se rreziku absolut ende është shumë i ulët, prandaj shumica e fëmijëve që lindin disa javë para arritjes së periudhës optimale prej 40 javëve të shtatzënësisë, nuk do të kenë paralizë cerebrale", ka deklaruar Dr. Dag Moster nga Universiteti i Bergenit në Norvegji, i cili është njëri nga autorët e studimit.
Paraliza cerebrale është një emër i përbashkët që nënkupton disa çrregullime që prekin trurin dhe sistemin nervor, e që paraqiten herët gjatë fëmijërisë. Kjo gjendje është shkaktari kryesor i paaftësisë te fëmijët dhe besohet se paraqitet për shkak se truri është dëmtuar gjatë zhvillimit fetal, apo në fëmijëri të hershme.
Sipas të dhënave, 2-3 në 1.000 fëmijë lindin me paralizë cerebrale.
Lindja para kohe dihet se e rritë rrezikun për paralizë cerebrale, por shumica e fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje nuk kanë lindur para kohe, thekson Moster dhe kolegët e tij në revistën profesionale “Journal of the American Medical Association”.
Moster ka deklaruar se nuk dihet ende arsyeja pse paraliza cerebrale paraqitet më shpesh te fëmijët e lindur në javën 37 ose 38 të shtatzënësisë, apo pas 42 javësh. Një supozim thotë se truri i fëmijëve që lindin në këto periudha, mund të jetë më i ndjeshëm.



