Studime të tjera kanë treguar për lidhshmërinë e ekspozimit ndaj pesticideve dhe paraqitjes së sëmundjeve të tjera
Fëmijët, nënat e të cilëve kanë qenë të ekspozuara ndaj disa llojeve të pesticideve derisa kanë qenë shtatzëna, janë më të prirë që të kenë probleme me vëmendje, kur të rriten, kanë thënë shkencëtarët amerikanë të enjten.
Studimi i ri, i botuar në “Environmental Health Perspectives”, është një dëshmi shtesë se pesticidet organofosforike janë të dëmshme për trurin e njeriut.
Kërkuesit shkencorë nga Universiteti “California Berkeley” kanë testuar gratë shtatzëna për të vërtetuar se pesticidet organofosforike janë absorbuar me të vërtetë nga organizmi i tyre, e më pas kanë përcjellë fëmijët e tyre duke u rritur.
Gratë me shkallën më të lartë të pesticideve në urinën e tyre, derisa ishin shtatzëna, kishin fëmijë të cilët ishin më të prirë për të pasur simptoma të sëmundjes ADHD, në moshën 5 vjeçare.
"Edhe pse rezultatet e këtij studimi nuk janë konkluzive, mund të thuhet se ato sugjerojnë se ekspozimi prenatal ndaj pesticideve organofosforike mund të ndikojë në vëmendjen e fëmijës", thotë Amy Marks, e cila ka bërë këtë studim bashkë me kolegët e saj.
Studime të tjera kanë treguar për lidhshmërinë e ekspozimit ndaj pesticideve dhe paraqitjes së sëmundjeve të tjera, si sëmundja e Parkinsonit dhe sëmundje tjera të trurit.



