Shkencëtarët kanë zbuluar se vitamina D ndikon në më shumë se 200 gjene, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me paraqitjen e kancerit dhe sëmundjeve autoimune, sikur që është skleroza multiple. Ky studim vetëm tregon se sa probleme serioze mund të shkaktojë mungesa e kësaj vitamine. Vlerësohet se, në mbarë botën, rreth 1 miliard njerëz kanë mungesë të kësaj vitamine.
"Studimi ynë tregon sesa dramatike mund të jetë mungesa e vitaminës D", thotë Andreas Heger nga “Functional Genomics Unit” në Universitetin e Oksfordit, i cili ka udhëhequr këtë studim.
Vitamina D ndikon në ADN me anë të asaj që quhet receptori i vitaminës D (VDR).
Dihet se mungesa e vitaminës D ndikon në paraqitjen e rakitit, por tani mendohet se kjo mungesë ndikon edhe në paraqitjen e sëmundjeve si skleroza multiple, artriti reumatoid dhe diabeti i tipit I, por edhe të disa llojeve të kancerit dhe demencës.
Pjesa më e madhe e vitaminës D krijohet në organizëm si rezultat i ekspozimit të lëkurës në diell, por kjo vitaminë mund të merret edhe me ushqim, sikur që janë peshqit, vezët, apo edhe në formë të preparateve (ilaçeve).
Vlerësohet se vitamina D është e rëndësishme për aktivizimin e qelizave të sistemit imun, të quajtura qelizat ‘killer’, të njohura si qelizat T, të cilat nuk ndikojnë kundër infeksioneve, në rast se mungon vitamina D. Doza optimale ditore e vitaminës D është 25 deri 50 mikrogramë.



