Një ekstrakt nga bima kacavjerrëse me emrin ‘kudzu’, që për momentin përdoret për mjekimin e alkoolizmit, mund të jetë i dobishëm edhe për mjekimin e vartësisë nga kokaina, thonë shkencëtarët nga “Gilead Sciences Inc”.
Testet në minj tregojnë se kjo substancë mund të ndikojë që minjtë të ndalin marrjen e kokainës, thuhet në studimin e ri të publikuar në revistën “Nature Medicine”.
"Nuk ka trajtim adekuat për vartësinë nga kokaina, përkundër
njohurive shumë të gjera rreth neurobiologjisë së kësaj droge dhe të vartësisë që shkakton ajo”, thonë autorët e këtij studimi, Lina Yao, Ivan Diamond dhe të tjerët.
“Kudzu” është një ilaç i vjetër që përdoret për mjekimin e alkoolizmit. Kjo bimë, e cila ka origjinën nga Azia, është përhapur edhe në pjesën më të madhe të pjesës juglindore të SHBA-së pasi që ishte mbjellë për ta kontrolluar erozionin e dheut.
Kompania “CV Therapeutics” ka prodhuar një ekstrakt sintetik të quajtur inhibitor selektiv i aldehid dehidrogjenazës-2, apo shkurt “ALDH2i”. Ky ekstrakt mban emrin eksperimental “CVT-10216”.
Testet në minj kanë treguar se kjo substancë është efikase në mjekimin e vartësisë nga kokaina. Ajo po ashtu parandalon edhe rifillimin e marrjes së kësaj droge.
Është parë se veprimi i këtij ekstrakti lidhet me rritjen e nivelit të substancës të quajtur tetrahidropapaveroline ose shkurt THP. Etja për marrjen e kokainës ndikon në rritjen e nivelit të dopaminës në tru, ku THP ndërvepron në këtë proces.



