Edhe pas disa seancash në Komisionin parlamentar të Ligjeve, maxhoranca dhe opozita nuk kanë gjetur ende një konsensus për çështjen tejet të debatueshme, atë të hapjes së kutive.
Përtej çdo debati, palët nuk bien dakord në pikën e vetme, atë të dhënies së kompetencave komisionit hetimor parlamentar për hapjen e kutive.
Deputetët e maxhorancës pretendojnë se një veprim i tillë është antikushtetues, ndërkohë që opozita pretendon të kundërtën. ”Jemi pro zgjidhjes se krizës, por për një zgjidhje kushtetuese. Kuvendi, nuk mund të hetojë mbi vendimet e gjykatave”, deklaroi deputeti demokrat Eduard Halimi.
Ndërsa deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi akuzoi maxhorancën se po pengon hetimin e zgjedhjeve. “Sot diskutimi ia heq themelin komisionin parlamentar për çdo lloj zgjedhjesh të tjera kur të ketë ankesa. Me ketë qëndrim ju i kufizoni opozitës të drejtën ekskluzive që i ka dhënë Kushtetuta dhe me cilësimet që thoni ju e bëni ngritjen e komisionit kuvendor te panevojshëm”, theksoi Hysi.
Deputetja e opozitës është kundërshtuar nga deputeti tjetër demokrat, Edi Paloka, i cili theksoi se raporti i OSBE-se është konstatues për problemet. “Të ulemi në bazë të këtij raporti dhe të përpiqemi për të rregulluar gjërat. Deri tani nuk kemi gjë në vijë, sepse kutitë nuk hapen”, u shpreh Paloka.
Mbledhja e radhës e Komisionit të Ligjeve do të zhvillohet të hënën, ndërkohë që të gjitha përfundimet do të dërgohen në Parlament, për t’u diskutuar në seancën e 18 marsit. E nëse deri atëherë, të dyja palët nuk kanë gjetur një konsensus, atëherë kriza politike në vend duket se do të vijojë, përderisa opozita nuk ka pranuar të heqë dorë nga hapja e kutive të votimit.
Që në krye të herës, Partia Socialiste ka kërkuar çeljen e kutive për të zbuluar sipas saj “krimin elektoral të 28 qershorit”, por kjo ide nuk është pranuar nga pozita në pushtet, me pretendimin se cenohet pavarësia e gjyqësorit, që ka vendosur një herë mbi këto çështje. Cenim ose jo të gjyqësorit, Shqipërisë i duhet bashkëpunimi politik për të vijuar më tej reformat, veçanërisht ato institucionale, siç mund të jetë ajo e drejtësisë.



