Bashkimi Demokratik Shqiptar përmes një deklarate me shkrim thekson se po përcjell me shqetësim indiferencën e udhëheqësve të partive politike lidhur me fatin e njerëzve që padrejtësisht mbahen nëpër burgjet e Maqedonisë.
“Pranimi publik nga të gjitha forcat politike maqedonase se në Maqedoni gjyqësia ka qenë dhe është nën ndikimin e partive politike paraqet momentin e favorshëm që të ngremë zërin fuqishëm për riparimin e pasojave të kësaj “politike gjyqësore””, thuhet në deklaratën e BDSH.
Kjo parti vlerëson se vullneti për të hequr ndikimet e partive politike në gjyqësor dhe krijimin e një gjyqësie të pavarur dëshmohet, para se gjithash, me qëndrimin e qartë dhe pa ambiguitet ndaj viktimave të kësaj përzierje partiake dhe etnike në gjyqësinë e Maqedonisë.
“Ky vullnet nuk mund të shprehet ndryshe pos përmes shpalljes së menjëhershme të një amnistie të përgjithshme!Prandaj, Bashkimi Demokratik Shqiptar u bën apel udhëheqësve të partive politike shqiptare që do të marrin pjesë në takimin e sotshëm që unanimisht të kërkojnë si parakusht amnistinë e përgjithshme dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara ndaj personave që kanë përjetuar tmerret e kësaj “politike gjyqësore””, thuhet më tej në deklaratë.
BDSH vlerëson se pa lirimin e menjëhershëm të të gjithë atyre që padrejtësisht mbajnë mbi kurrizin e vet pasojat e gjyqësisë së komanduar nga partitë politike, iniciativa e Nikolla Gruevskit për ndryshime kushtetuese në këtë fushë është iniciative e spastrimit të gjyqësorit nga ndikimet eventuale të partive tjera dhe krijimin e strukturës që i bindet atij. (INA)



