Ohri e Fierza mbi nivelin kritik

Moti i keq që ka goditur Ballkanin ka rikithyer rrezikun e përmbytjeve, këtë radhë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Maqedoni.

Reshjet e shiut dhe të dëborës kanë bërë që niveli i ujit të liqenit të Ohrit të kalojë 25 centimetra mbi kuoten maksimale të lejuar, duke përbërë një rrezik përmbytjesh për banorët e fshatrave të Strugës dhe të qytetit të vjetër të Ohrit.

Rritja e nivelit të ujit ka detyruar qeverinë maqedonase të mbajë hapur portat nga të cilat shkarkohet 62 metër kub ujë në sekondë në Drin.

Një situatë që reflektohet më pas në kaskadën e Drinit, në Shqipëri. Prurjet e Drinit bashkë me reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë bërë që në liqenin e hidrocentralit të Fierzes niveli i ujit të arrijë në 293,72 metër, mbi nivelin kritik të sigurisë së digës.

Më pak se 3 metër larg nivelit maksimal të lejuar. Në këtë liqen sot prurjet kanë arritur në 500 metër kub në sekondë.

Në hidrocentralin e Komanit, ku prurjet shkojnë në 130 metër kub në sekondë, niveli i ujit ka arritur në 171,69 metër, ndërsa niveli maksimal i lejuar është 176 metër.

Ndërsa në liqenin e hidrocentralit të Vaut të Dejës niveli i ujit ka arritur në 75,28 metër, ndërsa prurjet janë 30 metër kub në sekondë.

Kjo ka bërë që hidrocentralet të punojnë me kapacitet thuajse maksimal, ku sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë prodhimi i energjisë ka arritur në 28,86 milionë kilovat orë.

KESH-i eksporton dhe shet 14.4 milionë kilovat/orë energji, ndërsa konsumi është 22,45 milionë kilovat/orë energji.

Por pavarësisht prodhimit, shtimi i prurjeve do të bëjë që shumë shpejt KESH të detyrohet të rihapë portat, të paktën në Fierze, ku niveli është mbi pikën kritike të sigurisë. Në një kohë kur një pjesë e Shkodrës vazhdon të mbetet prej më shumë se tetë javësh nën ujë. (tch)

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: