Deputetët socialistë do të marrin pjesë sot në seancën e pasdites të Kuvendit, ku maxhoranca kërkon të miratojë rezolutën që mbështet liberalizimin e vizave.
Vendimi u mor dje, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së. Duke vlerësuar se procesi i liberalizimit të vizave është shumë i rëndësishëm për vendin dhe duke mos dashur që të bëhen pengesë e këtij procesi, deputetët e PS-së kanë diskutuar dje në mesditë dhe kanë vendosur
që të jenë të pranishëm në seancë vetëm për këtë pikë të rendit të ditës, duke vijuar bojkotin për pjesën tjetër të axhendës parlamentare.
Pritet që ligjvënësit socialistë të kërkojnë edhe ndryshime në tekstin e rezolutës, por kjo do të jetë në varësi të diskutimeve në seancën parlamentare.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, deputeti Andis Harasani ka propozuar që të jetë Ditmir Bushati që të mbajë një fjalë në Kuvend në lidhje me integrimin dhe procesin e liberalizimit, duke përfaqësuar këhstu qëndrimin e PS-së. Ndërsa ky i fundit ka refuzuar, duke propozuar që këtë ta bëjë sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare, Arta Dade.
Pritet që grupi opozitar të paraqesë qëndrimin dhe vërejtjet si dhe plotësimet e tij për rezolutën e propozuar nga maxhoranca sot në Kuvend, dhe pas miratimit të saj të dalë nga seanca. (bw)



