Kryeministri malazez Milo Gjukanoviq ka kritikuar ashpër Serbinë, duke e akuzuar se ka për qëllim ta paraqesë Malin e Zi si "shtet kriminal".
Në një intervistë për TV malazez Gjukanoviq ka thënë se Beogradi synon ta komprometojë shtetin malazez dhe të tregojë se Mali i Zi nuk ka kapacitete juridike që të jetë shtet i pavarur.
E gjitha kjo tregon, tha Gjukanoviq, se problem thelbësor nuk është qëndrimi malazez ndaj Kosovës, por problem thelbësor është pavarësia e Malit të Zi dhe ata nuk janë pajtuar me të drejtën e Malit të Zi që të marrë vendime të veta.
"Problem tjetër është se Serbia pretendon për pozicionin e liderit në rajon, por që dikush të jetë lider duhet paraprakisht të zgjidhë problemin e kriminelëve të luftës, të zgjidhë nëse ata që kanë bërë krime në Srebrenicë janë heronj apo kriminelë, dhe të tregojë më shumë aftësi për zhvillimin e marrëdhënieve me fqinjët". ka thënë Gjukanoviq.
Kryeministri malazez ka theksuar se Serbia ka probleme me të gjitha shtetet e rajonit, me Kroacinë, Bosnjën, Kosovën, Maqedoinë dhe Malin e Zi.



