Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiq dhe lideri i Partisë Liberal Demokrate (PLD) Qedomir Jovanoviq u përballën mbrëmë në një debat në televizionin serb, RTS.
Të dytë u konfrontuan rreth qëndrimeve të tyre rreth lidhjes mes integrimit të Serbisë në BE dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si dhe politikën të cilën duhet ta zbatojë vendi rreth kësaj çështjeje.
Jeremiq ishte kategorik në atë se nëse do t’i jepej mundësia të zgjidhte mes anëtarësisë në BE dhe vazhdimit të luftës për Kosovën, ai do ta zgjidhte Kosovën, ndërsa Jovanoviq nuk deshi të përgjigjej në këtë pyetje edhe pse ai më herët kishte kritikuar qëndrimin e Jeremiqit rreth kësaj çështjeje.
Mirëpo, ai tha se askush deri më tani nuk i ka vënë këtë kusht Serbisë duke theksuar se vendi duhet të ndryshojë në mënyrë që kjo çështje të mos flitet kurrë më në të ardhmen.
Unë kurrë nuk do të pajtohesha me shkëputjen e një pjese të territorit tonë ka thënë Jeremiq, duke shtuar se politika zyrtare e BE-së është se një parakusht i tillë nuk do t’i vihet Serbisë duke marrë parasysh se Kosova nuk është njohur nga pesë shtete të unionit.
Kurse ndaj kësaj deklarate Jovanoviq reagoi duke thënë se Serbia tashmë e ka humbur Kosovën ndaj së cilës Jeremiq iu kundërvë duke thënë se Serbia nuk do ta humbë Kosovën përderisa lufton për të dhe do ta humbë atë vetëm kur pranon deklaratat e tilla sikur të Jovanoviqit.
Ndërkohë Jovanoviq gjithashtu ka thënë se kur Serbia thotë se Kosova nuk është e pavarur, një deklaratë e tillë ngacmon të gjithë rajonin.



