Presidenti i Republikës Bamir Topi deklaroi se reforma në drejtësi është bllokuar si pasojë e mos sigurimit të 84 votave në parlament.
Duke çmuar momentin në prag të vendimit të Bashkimit Europian për çështjen e vizave, kreu i shtetit kërkoi kontributin e opozitës në miratimin e disa ligjeve që sipas tij janë përtej interesave partiake dhe me rëndësi shumë të madhe për popullin dhe vendin.
Megjithatë Topi deklaroi se institucioni i tij nuk do të vazhdojë të jetë më në pritje të vullneteve partiake për disa vendime që duhej t’i kishte marrë.
“Disa procedura të cilat duhet t’i kisha realizuar prej kohësh i kam mbajtur, nuk i kam paraqitur por institucioni i presidentit nuk mund të mbesë i varur nga vullnetet politike. Partitë kanë të drejtën e plotë të bëjnë zgjedhjen e tyre politike, por bëj apelin që qëndrimet politike janë vërtetë ekskluzivitet i subjekteve politike por janë disa ligje të qenësishme për vendin, të cilat domosdoshmerisht duan një lloj bashkëpunimi për të dalë nga kjo situatë”, u shpreh Topi.
Pas një angazhimi të gjatë si ndërmjetës për zgjidhjen e krizës politike, kjo është hera e parë qe kreu i shtetit reagon për bllokimin e disa prej nismave më të rëndësishme ligjore. Këto deklarata zoti Topi i bëri në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku u mor në analizë çështja e gjyqësorit.
Duke iu referuar problemeve që dolën nga analiza e punës në 29 gjykata të vendit, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu tha se dy kanë qenë fenomenet që bllokojnë proceset në rang kombëtar.
Mosparaqitja e avokatëve, ekspertëve apo dëshmitarëve, por edhe mungësa e adresave që sjell dështimin e njoftimeve.
Pothuajse në të gjitha gjykatat shqiptare ka çështje të mbartura nga vitet e shkuara duke i futur ato në kurthin ligjor të pezullimit.



