Rasti Remzi Hoxha: Zhduket letër-porosia për Avdyl Loshajn

Skandal në procesin penal ndaj tre ish-shikasve të akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha.

Letërporosia për marrjen e dëshmisë së Avdyl Loshajt, pengut të SHIK-ut që mundi t’u mbijetonte torturave, ka humbur, dhe e gjithë procedura duhet të vazhdojë nga e para.

Lajmi u bë i ditur dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, kur kryesuesi i trupit gjykues që po shqyrton dosjen penale ndaj Arben Sefgjinit, Ilir Kumbaros dhe Avni Koldashit, relatoi një shkresë për palët, të mbërritur nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas shkresës së ardhur nga Ministria e Drejtësisë së shtetit holandez, ku ndodhet Avdyl Loshaj, dhe që i është përcjellë gjykatës së Krimeve të Rënda, informohej se letërporosia është marrë në dorëzim nga një punonjës i ministrisë së Drejtësisë së Holandës, por më pas ka humbur.

E ndodhur përballë një fakti të tillë, pesëshja gjykuese vendosi ta rinisë sërish të njëjtën letërporosi, pasi dëshmia e Loshajt konsiderohet kyçe për çështjen. Ai dyshohet të jetë personi që ka dijeni për fatin e biznesmenit Remzi Hoxha të zhdukur 15 vite më parë, ndaj thëniet e tij shihen si vendimtare për zbardhjen e së vërtetës.

Gjykata bëri të ditur vetëm faktin se letërporosia ka humbur në Ministrinë e Drejtësisë së Holandës, por nuk dha asnjë detaj për mënyrën se si ka ndodhur një gjë e tillë, që duket se do të jetë një shkak i fortë për shtyrjen e procesit për një kohë të gjatë.

Letërporosia

Më 6 nëntor 2009, Gjykata e Krimeve të Rënda i dha rrugë letërporosisë për marrjen në pyetje në shtetin e Holandës të Avdyl Loshajt, i konsideruar si dëshmitari kyç në procesin penal ndaj tre ish-shikasve.

Drejt Holandës ishin nisur 58 pyetje të prokurorisë së Krimeve të Rënda, si dhe pyetje të tjera të bëra nga avokatët mbrojtës të të pandehurve. Ndërsa pritej konfirmim për zbatimin e letërporosisë, kur Ministria e Drejtësisë së Holandës përmes një shkrese të mbërritur në gjykatë më 17 shkurt 2010, njoftonte se letërporosia kishte mbërritur nga autoritetet e Drejtësisë shqiptare dhe pasi është marrë në dorëzim, është humbur.

Ndaj kërkohej një përgjigje nëse Drejtësia shqiptare është sërish e interesuar për dëshminë e Avdyl Loshajt. Në një tjetër shkresë, atë të datës 3 shkurt 2010, ministria e Drejtësisë së Holandës njoftonte se letërporosia nuk kishte mbërritur fare.

Pas verifikimeve të bëra ka rezultuar se letërporosia për marrjen e dëshmisë së ish-pengut të SHIK-ut kishte mbërritur, por ka humbur. Pasi mori mendimin e palëve, gjykata vendosi ta dërgojë edhe njëherë letërporosinë me të njëjtat pyetje të pandryshuara.

Shqiptaro-maqedonasi Remzi Hoxha u mor peng më 21 tetor 1995, në ambientet e punishtes së tij të duraluminit në rrugën “Siri Kodra në kryeqytet. Sipas prokurorisë, biznesmeni është torturuar në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës. Nën akuzë janë vënë ish-zyrtarët e SHIK-ut, Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Ilir Kumbaro. (bw)

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: