Mëngjesin e ditës së hënë, qytetarët pogradecarë dhe ata të rajonit midis Korçës dhe Pogradecit kanë hasur një fenomen të rrallë.
Dëbora e dendur që kishte rënë gjatë gjithë natës dhe kishte shkuar deri në 30 cm lartësi nuk kishte ngjyrën e saj të zakonshme, por ishte e kuqërremtë.
Bwhet e ditur se me tepër, shtresa e dëborës me ngjyrë ka qenë e theksuar në fshatin Sovjan dhe atë të Pretushës.
Po ashtu,shtresa e kuqërremtë që ka mbuluar edhe qytetin e Pogradecit dhe rrethinat e tij, ka ngjallur kureshtjen e banorëve.
Për të moshuarit, dëbora me ngjyrë që mbuloi dje qytetin e Pogradecit dhe disa fshatra të Korçës, është një fenomen që nuk është parë më parë.
Ndërsa specialistët e lidhin këtë fenomen me ekzistencën e grimcave me ngjyrë që ndodhen në hapësirë.
Për më tepër, kur bora e kuqërremtë ka pasuar një shtresë të konsiderueshme bore të zakonshme.
Edhe më të moshuarit e kësaj zone janë habitur kur kanë parë që dëbora kishte ndërruar ngjyrë.
Unë i kam kaluar të 80-at, por nuk mbaj mënd që të bjerë nga qielli dëborë e kuqërremtë, nuk kuptoj se çfarë po ndodh kështu ka thwnw një i moshuar nga Sovjani.
Përtej çudisë tek banorët, deri dhe në përflitjen e një oguri jo të mirë, dëbora e 24 orëve të fundit që ka rënë në këtë zonë ka sjellë probleme të shumta për zonat e izoluara dhe një pjesë të mirë të akseve rrugore.
Mësohet se situata më dramatike është në komunën e Velçanit, ku 40 familje po jetojnë në çadra pas prishjes së shtëpive të tyre nga shkarja e dheut para katër ditësh.
Ilir Mane, kreu i komunës, ka pohuar se gjatë një kontakti me kreun e Emergjencave në Tiranë Alfred Olli, është konfirmuar ndihma e menjëhershme për këto familje.
Për shkak të dëborës mbi 40 centimetra dhe akullit në rrugë, Qafa e Plloçës dhe Qafa e Thanës mund të kalohet me vështirësi vetëm me zinxhirë.
Ndërsa dhjetëra fshatra vazhdojnë të jenë të izoluar. (bw/aktualiteti)



