Shqipëria dhe Bosnja do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave brenda vitit 2010 por edhe Kosova duhet të përfitojë shpejt nga ky proces. Kjo është deklarata e ministrit të Jashtëm italian, Franko Frattini, në lidhje me procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Në fjalën e tij në forumin e mbajtur në Goriza të Sllovenisë, për “Skenarët e zhvillimit Adriatiko – Ballkanik”, Frattini ka theksuar se Bashkimi Europian nuk ka më dilema për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perendimor.
Duke u ndalur në çështjen e liberalizimit të vizave, Frattini ka theksuar se edhe për Kosovën Komisioni Europian duhet të nis dialogun për heqjen e vizave.
“Liberalizimi i vizave është në fuqi me Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë. Impenjimi është që edhe Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina mund të arrijnë objektivin brenda vitit 2010, duke arritur progres në parametrat e kërkuar nga Bashkimi Europian. Në mënyrë analoge mendojmë se dialogu për heqjen e vizave mund të fillojë shumë shpejt dhe për Kosovën”, ka deklaruar ministri i Jashtëm Frattini.
Në një vlerësim historik për rajonin, ministri i Jashtëm italian është ndalur gjerësisht te Shqipëria si vendi me të kaluar komuniste që tha se sot troket në dyert e BE-së.
Ai u shpreh se disa vite më parë, vëzhguesit e BE-së kanë qenë skeptik në lidhje me avancimin e Shqipërisë dhe Serbisë si vende ish-komuniste drejt BE-së.
“Sot qëndrimi i këtyre vendeve drejt Bashkimit Europian është konkret”, ka thënë ministri Frattini.
Ndër të tjera, në fjalën e tij, diplomati italian ka theksuar se Tirana zyrtare me marrjen e pyetësorit tregon dhe vullnetin e qeverisë për t'u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. (noa)



