
“People to People International” ka nderuar kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, me çmimin ndërkombëtar “Eisenhower Medallion” në Las Vegas të Nevada-s.
Mary Eisenhower, presidente e kësaj organizate dhe mbesa e Dwight D. Eisenhower, ish-president i SHBA-së dhe themelues i Organizatës “People to People”, ka thënë se ky çmim i jepet Berishës për kontributin e tij në krijimin e një klime paqësore në mes të Shqipërisë, Ballkanit dhe komunitetit global. Ndërsa, kryeministri Berisha, ka shprehur konsideratën më të lartë për çmimin prestigjioz, duke thënë nëpërmjet një videokonference, se është një nder jo vetëm për të, por për tërë kombin shqiptar, sepse është shpërblyer me këtë çmim pas nobelistes shqiptare, Nëna Terezë. Çmimi prestigjioz “Eisenhower Medallion” është themeluar për nder të ish-presidentit të 34-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dwight D. Eisenhower. Ky çmim ndahet çdo vit për personalitetet e shquara botërore, të cilat kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për paqen. Në mesin e personaliteteve që kanë fituar këtë çmim janë: Nënë Tereza, Shkëlqesia e Tij, Papa Gjon Pali II, ish-presidentët e SHBA-së, George Herbert Walker Bush, Jimmy Carter, Ronald Reagan dhe shumë personalitete të njohura botërore.



