Redaktori kryesor i "Enciklopedisë maqedonase", Bllazhe Ristevski, ka vazhduar të mbështesë tekstin e këtij botimi, duke thënë se shqiptarët janë prezantuar në mënyrë objektive, kurse nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe ka kërkuar argumente shtesë për të tërhequr pjesët ku këto dy vende kanë rezerva. Ai ka thënë se në ndryshimet që u paralajmëruan nuk do të thotë se do të hiqen pjesët e diskutueshme, por do të ketë sqarime shtesë. "Me shtimin e një ose dy fjalëve, të saktësohet pjesa, që të dihet se kur vijnë në mënyrë masive shqiptarët në Maqedoni, sepse atje është e shkruar se kryesisht vijnë nga shekulli 16", ka theksuar redaktori kryesor i enciklopedisë maqedonase. "Është e vërtetë se individë, por edhe grupe kanë ardhur edhe më herët, por autoktonia është diçka tjetër, autoktoni ka në Shqipëri", tha ai.
Ai, gjithashtu, ka potencuar se kërkon nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe argumente shtesë se nuk janë të vërteta sygjerimet e enciklopedisë se ushtarët e këtyre dy vendeve kanë stërvitur UÇK-në. "Le të japin ata fakte se si ka qënë, ky nuk është problemi ynë", ka thënë Ristevski.
Enciklopedia e punuar nga akademik Ristevski është në qendër të debateve politike dhe qytetare. Në Parlament nga opozita maqedonase dhe partitë shqiptare kërkohet përgjegjësi politike. Kryeministri Nikolla Gruevski ka refuzuar që të distancohet nga enciklopedia, duke thënë se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë është një institucion i pavarur dhe nuk do të ndërhyjë në punën shkencore. Ndërkohë veç debetave brenda vendit, enciklopedia maqedonase po ngjall edhe reagime ndërkombëtare. Pas Shqipërisë, Kosovës, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, edhe Bullgaria ka shprehur rezervat e saj.
Me anë të një komunikate, pa dhënë hollësi për cilat pjesë, Ambasada e Bullgarisë ka thënë se në enciklopedi përdoret një gjuhë e kohës së Luftës së Ftohtë, që nuk kontribuon në marrëdhëniet fqinjësore.



