Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë për të futur me detyrim gjuhën maqedonase për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore është kritikuar edhe nga zëvendëskryministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta.
Ky i fundit gjatë një konference të përbashkët për mediat në Tiranë me homologun maqedonas Milloshoski, u shpreh se vendime të tilla duhet të merren me pëlqimin edhe të partive politike dhe komunitetit shqiptar në Maqedoni.
“Është shumë e rëndësishme që veprime të tilla, për shkak të ndjeshmërive që ekzistojnë në vendet tona të ndërmerren në konsultim dhe në dialog me komunitetin. Në rastin konkret, në mirëkuptim dhe dialog edhe me forcat politike shqiptare dhe natyrisht në një mirëkuptim edhe me OSBE-në, e cila ka qenë e angazhuar dhe është angazhuar në këtë çështje si dhe në çështje të tjera. Ne në Ballkan duhet të mësojmë më shumë gjuhët e njëri-tjetrit sepse edhe zoti Milloshoski mund ta fliste edhe më mirë shqipen duke qenë se ka lindur në Tetovë”, theksoi Meta në deklaratën e tij.
Ndërkohe ne arsyetimin e tij, kryediplomati maqedonas, Antonio Milloshoski u shpreh se ky veprim është një mundësi për komunitetin shqiptar në Maqedoni që duke mësuar gjuhën zyrtare të ketë shanse të barabarta në përfaqësimin e tyre në shtetin multietnik të Maqedonisë.
“Do të thosha që Maqedonia është një nga vendet me regjim shumë liberal të mësimit të gjuhës amtare. Në këtë drejtim do thosha që në qendrat tona arsimore nxënësit janë të lirë që të mësojnë gjithë këto gjuhë. Ndërkohë në kontaktet tona më OSBE-në kemi propozuar gjithashtu që këtyre komuniteteve në qendrat tona arsimore t’u krijohet mundësia për të mësuar edhe gjuhën shtetërore, gjuhën zyrtare të atij shteti. Kjo do të jetë edhe për të mirën e vetë këtyre qytetarëve që do të mësojnë gjuhën zyrtare të vendit ku jetojnë. Ne jemi të ndërgjegjshëm për faktin se në disa raste edhe projektet në fushën arsimore ndikohen nga debatet në fushën politike”, tha Milloshoski, duke shtuar në gjuhën shqipe se, “Maqedonia dhe Shqipëria janë vende fqinjë dhe mike. Ne kemi të njëjtat sfida dhe të njëjtat aspirata”.(start)