Republika e Maqedonisë shënon sot 19-vjetorin e pavarësisë nga ish-Jugosllavia.
Më 8 shtator 1991, maqedonasit zhvilluan referendumin për pavarësinë, shumica e të cilëve u shprehen pro ndarjes nga Jugosllavia.
Shqiptarët, si populli i dytë në Maqedoni, e bojkotuan këtë referendum.
Ata organizuan një referendum të veçantë më 11 dhe 12 janar të vitit 1992, si kundërpërgjigje ndaj të gjitha vendimeve të njëanshme të faktorit politik maqedonas.
Autoritetet shtetërore maqedonase kanë përgatitur sot ceremoni zyrtare dhe aktivitete festive me rastin e 19-vjetorit të pavarësisë së vendit.
Mbrëmë u organizua një pritje solemne nga kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski.
Në këtë takim ishin të ftuar krerët shtetëror, partitë politike, krerët fetarë, përfaqësuesit diplomatik dhe institucione e organizata joqeveritare.
Por, në takimin e organizuar nga Veljanovski nuk ishte i pranishëm asnjë nga liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni.
Përfaqësuesi më i lartë nga pala shqiptare ishte nënkryetari i Parlamentit, Rafiz Haliti, si dhe disa deputetë të tjerë.
Çështja e pavarësisë së Maqedonisë vazhdon të jetë mjaft e diskutuar mes forcave politike maqedonase dhe atyre shqiptare.
Asnjë nga komunat me shumicë shqiptare nuk ka përgatitur ndonjë aktivitet apo ceremoni festive lidhur me shënimin e përvjetorit të pavarësisë.(start/aktualiteti)



