“Dojçe Telekom” e përfshirë në korrupsion me qeveritarë në Maqedoni

Prokuroria Publike e Gjermanisë ka ngritur kallëzime penale kundër tetë menaxherëve të “Dojçe Telekom” për shkak të dyshimeve se kanë harxhuar 7 milion euro për korruptimin e zyrtarëve të lartë qeveritar në Maqedoni dhe Malin e Zi, raporton agjencia e lajmeve INA.

Ngritja e aktpadisë penale ka pasuar pasi që Komisioni Amerikan për Letrat me Vlerë dhe Ministria e Drejtësisë e SHBA-ve ka vërtetuar se menaxherët e kësaj kompanie për lobime në tregun e telekomunikimeve në mënyrë të paligjshme kanë harxhuar miliona euro.

Siç bëhet e ditur nga mediat gjermane, paratë kanë përfunduar tek funksionarët e lartë shtetëror në këto dy vende. Menaxherët e akuzuar janë kapur në vepër, pas një operacioni të gjerë të mbikëqyrur, ndërsa ata janë ndjekur edhe pas orarit të punës. Gjatë ditëve të ardhshme, ata janë thirrur në biseda informative në një gjykatë rrethi në Bon.

Kriminaliteti në kompaninë “T-Home”, dega e "Dojçe Telekom" në Maqedoni u zbulua para dy viteve, kur një shtëpi avokature amerikane kishte kryer një kontroll intern brenda kompanisë.

Inspektorët e lartë të kësaj kompanie amerikane kanë zbuluar se në Maqedoni janë keqpërdorur 24 milion euro, me qëllim të korruptimit dhe dhënies së ryshfetit për përfaqësues të lartë të Qeverisë së Maqedonisë, me qëllim të përfitimit të kushteve më të volitshme dhe mbajtjes së monopolit në tregun e telekomunikimeve.

Prokuroria e Maqedonisë dy vite më parë kishte ngritur kallëzim penal kundër ish-drejtorit të “Dojçe Telekom” në Maqedoni, hungarezit Atila Senderei, i cili së bashku me katër menaxherë të tjerë të huaj dyshohej për pastrim dhe keqpërdorim parash, nëpërmjet 20 kontratave të realizuara për shërbime konsultative me disa kompani të huaja dhe vendore në Maqedoni. (ina/aktualiteti)

 

 

 

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: