Maqedoni, acarohen marrëdhëniet VMRO-BDI

Dy partitë e koalicionit qeveritar në Maqedoni, VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, po kalojnë një moment jo të mirë në marrëdhëniet mes tyre.

Dallimet nëse Qeveria ka mbushur dy apo katër vite nga formimi i saj, ngre pikëpyetje për ekzistencën e koalicionit qeveritar. Acarimi i mëtejshëm i marrëdhënieve filloi dje, pasi kabineti i kryeministrit Nikolla Gruevski lajmëroi për një konferencë shtypi, në të cilën ai do të informonte opinionin për arritjet 4-vjeçare që kur partia e tij erdhi në pushtet.

Por, konferenca e paralajmëruar për sot në orën 14:00 u anulua, siç u tha, për arsye teknike. Por, burime brenda BDI-së deklarojnë për “Lajmin” se konferenca u anulua për shkak se ministrat e BDI-së refuzuan pjesëmarrjen në të.

BDI thotë se kjo Qeveri ka plotësuar vetëm dy vite që nga krijimi, dhe nuk mund të prezantohen arritjet e saj 4-vjeçare.

“Ne e bllokuam konferencën e sotme. Vërejtjet tona kanë qenë parimore. Ka dallim mes Qeverisë dhe Qeverisjes. Nëse VMRO-DPMNE është duke qeverisur katër vite, kjo Qeveri ka dy vite”, deklaruan për gazetën “Lajm” burime nga BDI, duke sqaruar shkaqet e vërteta për anulimin e konferencës së shtypit.

Dje gjatë gjithë ditës janë zhvilluar kontakte intensive mes zëvendëskryeministrit Abdylaqim Ademi dhe kryeministrit Nikolla Gruevski, për të gjetur rrugëdalje nga situata e krijuar. “Nuk do të marrim pjesë as nesër e as pasnesër në një pres konferencë ku do të shpallen rezultate të punës katërvjeçare të Qeverisë, sepse kjo Qeveri ekziston tani e dy vite”, theksojnë në BDI.

Koalicioni aktual qeverisës mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së funksionon prej 26 korrikut të vitit 2008. Paraprakisht, prej vitit 2006  deri në vitin 2008, VMRO-DPMNE ishte në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH). Por ky koalicion u kundërshtua ashpër nga BDI, për shkak se PDSH në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006 nuk pati arritur të fitojë shumicën e deputetëve shqiptarë.

 

 

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: