Tropojë, shpërthen granata në banesën e mikut të Haklajve

Mbrëmë rreth orës 21:00, në banesën e shtetasit Petrit Brahaj është hedhur një granatë, e cila ka shpërthyer në oborr. Ngjarja ndodhi në fshatin Kërrnajë, ndërsa policia e mbërritur në vendngjarje deklaron se nuk ka asnjë të lënduar.

Petrit Brahaj, i dënuar për grabitjen e bankës së Tropojës njihet edhe si krahu i djathtë i Fatmir Haklajt. Më 4 qershor të këtij viti Petrit Brahaj, i dënuar për grabitjen e bankës së Tropojës, është lënë i lirë. Vendimi për lirimin tij është shpallur pak ditë më parë në Gjykatën e Krujës. Kërkesa në gjykatë është bërë nga vetë i dënuari, i cili ka pretenduar se paraliza nga e cila vuan ia bën të pamundur qëndrimin në qeli.

Brahaj, u ekstradua nga Franca rreth dy vjet më parë dhe u dërgua në qelitë e burgjeve shqiptare, për të vuajtur një dënim me 10 vite burg të 6 viteve më parë si autor i grabitjes së bankës së Tropojës në vitin 1997. Apeli i Shkodrës në vitin 2005 e shpalli fajtor Brahajn, për vjedhjen e një shume rreth 500 milionë lekësh të vjetra, ndërkohë vetë i pandehuri ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës.

Pas vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari, Brahaj u akuzua të ishte një nga pjesëmarrësit në ekzekutim, por hetimet e prokurorisë nxorën se ai nuk kishte lidhje me këtë ngjarje.

Kush është Petrit Brahaj?

Petrit Brahaj, nga Kërnaja, ish-efektiv i forcave speciale shihej shpesh nga kundërshtarët e Haklajve në Tropojë, si një kërcënim serioz dhe i aftë të realizonte goditje në interes të tyre. Për ta neutralizuar këtë rrezik, u organizua një pritë ndaj tij. Paraditen e 20 gushtit 2001, Petrit Brahja, vëllai i tij Kastriot Brahja dhe nipi i Haklajve, Bilbil Selivrada, po zbrisnin nga Kërnaja drejt Bajram Currit me një fuoristradë tip "Mitsubishi" me ngjyrë vishnje.

Pa zbritur në fshatin Sopot, ata janë qëlluar me breshëri mitralozi të lehtë dhe kallashnikovi nga persona të veshur me uniforma ushtarake me lara, të cilët ishin pozicionuar pas një bunkeri.

Zjarri ka qenë i pandërprerë, por manovrimi i shpejtë i Brahjës ka bërë që ai t'ia hedhë vdekjes. Si rezultat i plagëve të marra, u plagosën rëndë Petrit Brahja dhe Bilbil Selivrada. Brahja ka mbetur i paralizuar qysh nga ajo kohë dhe është larguar jashtë vendit. Autorët e kësaj prite nuk janë zbuluar nga drejtësia shqiptare, por dyshohet se janë të njëjtët që organizuan sulmet ndaj kullës së Haklajve.

Brahaj ka qenë akuzuar nga kryeministri Sali Berisha, si pjesëmarrës në vrasjen e deputetit Azem Hajdari në 12 shtator 1998, në Tiranë. Banues në Kërnajë të Tropojës, Brahaj njihej si mik i Jaho Mulosmanit, i dënuar përjetë për vrasjen e deputetit. (balkanweb)

 

 

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: