Me xhepin plotë lekë si dhe me mbështetjen e rrjeteve të profesorëve në Maqedoni shumë lehtë mund të arrish në përfitimin e titullit të magjistrit apo doktorit të shkencave, duke mos përfillur ndonjë kriter të formimit shkencor apo intelektual.
Këto pohime dalin nga vetë profesorë universitarë, të cilët sqarojnë edhe rrjetet që funksionojnë për të arritur deri tek ngritja e nivelit akademik të një kandidati me arsimim të lartë.
“Situata është shumë brengosëse, sepse definitivisht kushtet për të arritur deri tek titulli shkencor nuk bazohen në njohuri, por tek leku apo miqësia që rrjedhë nga rrjeti i organizuar i profesorëve universitar, të cilët për një shumë të majme përgatisin punimin e magjistraturës apo edhe doktoraturës”, thekson për agjencinë e lajmeve INA një profesor universitar, i cili pranon faktin real për praninë e këtyre rrjeteve dhe mundësisë për të arritur tek titulli.
Derisa gjatë periudhave të viteve të kaluara, ishte çështje debati përfitimi i një titulli shkencor në vendet e rajonit përreth nga një pjesë e kuadrove apo intelektualëve shqiptarë, sot universitetet në Maqedoni dhe ligjërues brenda tyre sqarojnë skemat e krimit me diplomat shkencore.
Kjo dukuri e krijuar ka dekurajuar kuadrot e mirëfillta që synojnë të arrijnë rezultate në sferën shkencore.
Derisa në Universitetet e tjera nuk pasqyrohen të dhëna dhe shifra rreth kandidatëve apo të diplomuarëve me tituj shkencor, vetëm Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë ka dhënë të dhëna se sa është numri i gjithë atyre aplikuesve dhe përfituesve të titujve shkencor në këtë universitet.
Rektori i UEJL-së, Alajdin Abazi sqaron se debati rreth këtyre çështjeve nuk duhet të bazohet në sasinë, por në cilësinë e kandidatëve.
Sipas tij, numri i kandidatëve është tejet i madh në krahasim me ata që kanë magjistruar.
Numri i të regjistruarëve për magjistraturë është 1300 veta, ndërsa kanë magjistruar deri tani vetëm 64 veta.
E njëjta vlen edhe për studimet e doktoraturës, ku numri i doktorëve është ende i vogël, vetëm 15, shumica prej tyre e vazhdojnë karrierën profesionale dhe shkencore në universitete, ka theksuar rektori Abazi.
Sipas tij, universitetet duhet të fokusohen në mekanizmat për garantimin e cilësisë së studimeve.
Rektori Abazi thekson se studimet e magjistraturës në UEJL kanë filluar nga viti 2005 dhe se Programet studimore janë të dizajnuara sipas rekomandimeve që dalin nga procesi i Bolonjës, nëpërmjet Sistemit evropian të transferit të kredive (ECTS).
Ligjëruesi universitar pranë USHT-së, Mr. Rizvan Sulejmani vlerëson se universitet që marrin te drejtën për të organizuar studime postdiplomike dhe që marrin akreditime, ose nuk i përkthejnë në tërësi ato kritere që parashihen për t'u mbajtur dhe të merret titulli magjistër ose faktikisht nuk ka kontroll mbi të se si të zbatohen ato kritere ligjore.
Sipas tij, çështje tjetër në shumicën e universiteteve akreditohen shumë studime, por ato në të shumtën e rastve nuk i plotësojnë kushtet dhe nuk i përmbahen rregullave të parapara.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, vitin e kaluar numri i magjistrave dhe doktorëve të shkencave është rritur për 56,3 për qind, në krahasim me vitin 2008.
Gjatë kësaj periudhe kanë magjistruar 412 veta, ndërsa 13 të tjerë janë pajisur me titullin e specialistit shkencor.
Numri më i madh i të diplomuarëve për magjistraturë është nga shkenca shoqërore edhe ate 52 për qind, 18 për qind nga shkencat tekniko-teknologjike, ndërsa pjesa tjetër i takon fushave humane, matematiko-natyrore, mjekësisë dhe shkencave bioteknike.



