Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, e ka nxjerrë jashtë seancës deputetin dhe shefin e Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini.
Ka qenë fjala “rren”, më të cilën i është drejtuar Gjini, ministrit të Ekonomisë, Ahmet Shala, ajo që ka nxitur debatin në Kuvend, duke shtyrë Krasniqin që të kërkojë nga Gjini tërheqjen e fjalës, ose largimin nga salla.
Krasniqi ka thënë se të gjithë deputetët duhet të mësohen me sjelljet parlamentare dhe të përdorin fjalë që janë brenda etikës parlamentare, në të kundërtën duhet të dalin jashtë.
“Ata që e kanë shkelë etikën parlamentare dolën jashtë dhe duhet të jenë jashtë. Duhet të mësohen të jenë të edukuar dhe ta respektojnë etikën e Kuvendin dhe fjalorin parlamentar. Nëse ata nuk kanë fjalë, shprehje dhe nuk dinë të debatojnë nuk kam faj, por duhet ta përdorin fjalorin parlamentar”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi kërkoi me ngulm që Gjini ta tërheqë fjalën rrenë. Por, Gjini refuzoi dhe pasoi thirrja e kryeparlamentarit që ai ta lëshojë seancën dhe të mos paraqitet përderisa të mos e tërheq këtë fjalë.
Një reagim i tillë ka ardhur pas deklaratës replikuese të shefit të GP të AAK-së, Ardian Gjini, i cili është nervozuar nga deklarata e ministrit Shala, kur ky i fundit i ka thënë se nuk ka nevojë të nervozohet, derisa i ka sqaruar se pse është i nevojshëm të miratohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar.
“Mos e rreni Kuvendin palidhje dhe me ardhur këtu me thanë mos u bëni nervoz. Për neve është shqetësuese, si është kaq i relaksuar ministri duke e parë çfarë masakre është duke u bërë në financat publike”, ka thënë Gjini, duke iu drejtuar ministrit Shala se nuk bën t’i drejtohet atij me “i nderuar Gjini”, por i nderuari deputet, apo i nderuar Ardian.
Të irrituar me masën e shqiptuar nga Krasniqi, bashkë me Gjinin dolën jashtë edhe deputetët tjerë të AAK-së.
Ndërsa ata po largoheshin, Krasniqi tha se deputetët e këtij grupi edhe ashtu nuk e kanë vendin në seancë, pasi që në vazhdimësi përdorin fjalë dhe terme joparlamentare. (bs/express/)



