Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën plenare kërkuan që Projektligji për Avokatin e Popullit, të përmirësohet dukshëm, sepse ashtu siç është prezantuar i mungon një përkufizim se me çka saktësisht duhet të merret ky institucion.
Megjithatë, projektligji ka kaluar në parim me shumicën e votave të deputetëve.
Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi ka thënë se Dispozitat e projektligjit janë në harmoni të plotë me legjislacionin e BE-së, me standardet ndërkombëtare dhe me vendet që kanë traditë me funksionimin e Avokatit të popullit.
Sipas saj Projektligji siguron pavarësinë dhe paanshmërinë e plotë të Avokatit të popullit dhe me këtë mundësohet qasja e qytetarëve në drejtësi.
"Pjesa më e rëndësishme është përgjegjësia e avokatit për t'i hetuar shkeljet e të drejtave që adresojnë palët”, tha ministrja.
Kurse Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës Kosova e Re (AKR), Ibrahim Makolli ka paraqitur disa vërejtje për projektligjin. "Mendoj se në paragrafin ku bëhet fjalë për personalitetin e Avokatit të Popullit, ku thuhet të ketë karakter, moral të fortë, është e tepërt, sepse nuk ka ndonjë kandar që e mat një gjë të tillë" ka thënë Makolli.
Ndërsa Adem Salihaj, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), tha se si shumë ligje tjera të sjella në Kuvend, edhe ligjit për Avokatin e popullit i mungojnë përkufizimet dhe ka shumë paqartësi. Ai tha se me anë të këtij ligji nuk është përcaktuar edhe çështja e shkarkimit të Avokatit të popullit që është me rëndësi, mandej funksionimi i zëvendësit të tij apo edhe këshilltarëve.
Ndërkaq Melihate Tërmkolli, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se ky ligj është hartuar në baza të përgjithshme dhe i mungon një përkufizim se me çka saktësisht duhet të merret ky institucion, çfarë detyre konkrete ka. "Thuhet se merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndërkaq ka edhe shumë institucione e organizma tjerë që merren me të njëjtën çështje" ka thënë ajo.
Edhe Gjylnaze Syla, nga AAK-ja, tha se ky ligj është më se i nevojshëm për vendin, mirëpo mënyra e hartimit të tij sipas saj, nuk është e mirë, sepse i mungojnë përkufizimet dhe detajet për punën dhe funksionimin e Avokatit të Popullit
"Është shumë me rëndësi të dihet dhe të përcaktohet me ligj mënyra e emërimit të Avokatit të popullit, e po ashtu edhe e shkarkimit nga detyra si e tij ashtu edhe zëvendësve të tij, më pas funksionimi i këtij institucioni duhet të jetë i përcaktuar në detaje jo vetëm për të drejtat e njeriut, por edhe çështje tjera" ka përfunduar Syla.



