Reformat në sistemin e arsimit parauniversitar dhe Ligji i ri për këtë nivel të arsimit, kanë qenë temat për të cilat sot, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj ka mbajtur një konferencë me gazetarë së bashku me përfaqësuesit e donatorëve kryesor të arsimit: Renzo David, shef i Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë dhe Ranjit Nayak, përfaqësues i Banka Botërore në Kosovë.
Ministri Hoxhaj ka thënë se Ligji i ri për arsimin parauniversitar, nuk është një ligj që e ka formën vetëm të drafti, por me mbështetjen e dy donatorëve kryesorë edhe jetësohet në Republikën e Kosovës.
Hoxhaj ka përmendur shtatë aspekte, të cilat i parasheh ky ligj që të reformohet arsimi parauniversitar në Republikën e Kosovës e të cilat janë edhe shkallët kryesore të reformimit të arsimit: Ligji e bën arsimin e mesëm në Kosovë obligativ nga mosha 5 (arsimi parashkollor), deri në moshën 18 vjeçare dhe thirret Ligj për Arsim Parauniversitar meqë ofron edhe nivelin postsekondar.
Ndërsa, ky ligj krijon qartësi të përgjegjësive dhe kompetencave në fushën e bartjes së përgjegjësive nga MASHT në komunë dhe nga komuna në shkollë, ndryshon qeverisjen brenda shkollës, shkollave iu siguron autonomi financiare, administrative, por edhe të kurrikulumit është shprehur Hoxhaj .
Sipas tij ligji, po ashtu parasheh që të kemi shkolla të shëndetshme dhe të sigurta, parasheh reformën e kurrikulumit (edhe të kornizës së re të kurrikulumit edhe të kurrikulumeve tematike), ndërsa merret edhe me ngritjen profesionale të mësimdhënësve, dhe arsimin inkluziv.
Për të gjitha këto reforma që i parasheh ligji që të ndodhin dhe janë duke ndodhur në Republikën e Kosovës, ne kemi mbështetje të fuqishme të Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian, që fokusohet në ngritje të cilësisë në arsimin fillor dhe të mesëm, në bartjen e përgjegjësive nga Ministria në komunë dhe nga komuna në shkollë, në autonominë e shkollave, në reformën e kurrikulumit, i cili bazohet në arritshmëri ose në kompetenca, në zhvillimin profesional të mësimdhënësve, në arsimin special, i cili do të duhet të jetë në shërbim të një pjese të qytetarëve të Kosovës ka thënë ministri Hoxhaj, duke shtuar se të dy partnerët tanë, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian, kanë ndarë një buxhet dhe kanë mbështetur MASHT-in gjatë vitit 2008-09 dhe në vitet në vijim me qëllim që reformimi i sistemit tonë arsimor i nivelit parauniversitar të jetë i prekshëm dhe i matshëm.
Kurse Ranjit Nayak, përfaqësues i Bankes Botërore në Kosovë përmendi disa të arritura të MASHT në arsimin kosovar, ndërsa përmendi disa fusha ku është fokusuar Banka Botërore.
Sa i përket Ligjit për Arsimin Parauniversitar, Nayak tha se MASHT-it i është ofruar asistencë teknike, ndërsa vlerësoi se përkushtimi i decentralizimit të sektorit të arsimit është shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm.
Kjo do t’i mundësojë Ministrisë që të ketë më shumë detyra të orientuara në planifikim si dhe vendosjen e standardeve në gjithë vendin sa i përket sektorit të edukimit tha ai.
Ndërsa Renzo David, shef i Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë tha se Komisioni Evropian ka një bashkëpunim të shkëlqyer me MASHT.
Mosha e re e popullsisë së Kosovës, si më e reja në Evropë është një aspekt kryesor, mirëpo prezanton edhe një numër sfidash dhe është e qartë se kualiteti i kapitalit njerëzor është shumë me rëndësi dhe komponentë fondamentale në funksionimin e shtetit dhe është e qartë se vetëm duke përmirësuar kualitetin e kapitalit njerëzor përmes edukimit, Kosova do të arrijë një pikë të lartë dhe të qëndrueshme ekonomike theksoi Davidi.
Përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe të Bankës Botërore theksuan edhe një herë se do të vazhdojnë të përkrahin zhvillimin dhe reformimin e sistemit të arsimit në Kosovë edhe gjatë viteve të ardhshme.



