Drejtues të Agjencisë Kundër Korrupsionit kanë prezantuar raportin më të ri, sipas të cilit ka rritje të informatave për raste korruptive dhe se është rritur numri i zyrtarëve qeveritarë të përfshirë në raste korruptive.
Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, në një konferencë për media, ka thënë se fusha e prokurimit në Kosovë vetëm ka shënuar regres, por për rastet e dyshuara korruptive nuk ka dhënë shifra sa është dëmtuar buxheti i Kosovës.
Sipas tij, AKK për periudhën raportuese në krahasim me vitin paraprak ka pranuar numër dukshëm më të madh të rasteve të dyshuara për veprime korruptive.
Derisa në vitin 2008 janë pranuar 130 informacione, Preteni ka bërë të ditur se në vitin 2009 janë pranuar gjithsej 175 informata ose 34.61 për qind më shumë se sa vitin paraprak.
Preteni ka thënë se nëse llogariten edhe 22 informata që kanë qenë publike në raportin për vitin 2008, e që kanë mbetur për t’u trajtuar në agjenci del që Departamenti i hetimeve i ka trajtuar 197 informata.
Nga kjo del që pas hetimeve paraprake dhe pas hetimeve administrative në prokuroritë kompetente janë përcjellë 68 informata, 103 janë mbyllur dhe janë në mungesë provash, ndërsa 26 kanë mbetur të trajtohen nga agjencia.
Sipas drejtuesve të AKK së gjatë vitit të kaluar është rritur numri i personave zyrtar të dyshuar për raste korruptive.
Prokurorisë së EULEX it iu janë përcjell 34 informata, kurse për shkak të natyrës specifike të rastit në 26 raste informacionet iu janë përcjell Policisë së Kosovës.
Sipas Pretenit, nga kjo rezulton se në bazë të informatave kthyese nga prokurorit që ka AKK ja, nga 168 të përcjella kanë ndodhur 5 arrestime.
Në 60 raste kanë filluar hetimet penale nga prokuroritë kompetente, 5 aktakuza janë ngritur nga prokuroritë, ndërsa 36 lëndë janë të hedhura dhe në 62 raste nuk ka informacion kthyes nga prokuroritë.



