Ambasadat e shteteve të “Quint-it” në Prishtinë, nëpërmjet një deklarate, konfirmojnë qëndrimin e tyre se nuk kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi që të bëjë ndryshime në Kabinetin e tij ministror, sepse kjo, siç thonë ata, është përgjegjësi e kryeministrit dhe e partnerëve të koalicionit.
Në një deklaratë të përbashkët, ambasada e Francës, e Gjermanisë, e Italisë, e Mbretërisë së Bashkuar dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklarojnë përkushtimin e tyre për bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.
“Quint-i ka parë raporte në mediume me burim individë të paemëruar të cilët pohojnë se i deklarojnë pikëpamjet apo qëndrimet e Qeverive të Quint-it“.
“Quint-i dëshiron të qartësojë se në emër të vet - shteteve të veta - se ata nuk i kanë prezantuar Kryeministrit, qoftë kolektivisht apo individualisht, dëshmi apo të dhëna të inteligjencës lidhur me veprimet e supozuara korruptive të anëtarëve të Qeverisë së Kosovës”.
Quint-i poashtu dëshiron të qartësojë se nuk iu ka drejtuar Kryeministrit, qoftë kolektivisht apo individualisht, për të kërkuar ndërrime në Qeverinë e tij. Shtetet e Kuintit konsiderojnë se kjo është përgjegjësi e Kryeministrit dhe partnerëve të tij të koalicionit.
“Shtetet e Quint-it ripohojnë përkushtimin e tyre për të bashkëpunuar me Qeverinë e zgjedhur të Kosovës për të avancuar interesat e shtetit dhe për të shtyrë përpara qeverisjen e mirë”, thuhet në deklaratë.
Gazeta “Koha Ditore” në numrin e së mërkurës ka shkruar se Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka gjasa se shumë shpejt do të duhet të largojë nga Qeveria e tij një Ministër, për të cilin, zyrtarë ndërkombëtarë madje i kanë dhënë dosje për keqpërdorime.
“Ministri, që burimet thonë se është i fuqishëm politikisht dhe vjen nga një dikaster i rëndësishëm i Qeverisë Thaçi, dyshohet për përvetësimin e dhjetëra milionë eurove, ndërsa kërkesa për shkarkimin e këtij Ministri i është bërë drejtpërdrejt Kryeministrit Hashim Thaçi, javën e kaluar”, shkruan gazeta.
Po ashtu edhe pas këtij reagimi të ambasadave të Quint-it, e përditshmja Koha Ditore reagon duke thënë se me gjithë demantin dhe ndonëse në të nuk përmendet kjo gazetë, sqaron se burimet e informatës janë plotësisht të besueshme dhe se qëndron pranë shkrimit të botuar të mërkurën: "Thaçit i kërkohet shkarkimi i një ministri" .



