Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me deklaratat e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar Piter Feith, për prezencën e korrupsionit në institucionet e Kosovës, ka shprehur bindjen se korrupsioni fillon nga kryeministri Hashim Thaçi, dhe se sipas tij, shkaktar i korrupsionit është mënyra e qeverisjes.
Ai këto komente i bëri sot në një konferencë për media, me ç'rast ka adresuar kritika ndaj institucioneve të vendit se nuk janë duke e luftuar korrupsionin, i cili është duke prishur imazhin e vendit para bashkësisë ndërkombëtare.
"Për bindjen teme korrupsioni fillon nga kryeministri Thaçi. Ai është shkaktar i korrupsioni, logjika e tij qeverisëse, mënyra se si qeverisë dhe pastaj pasojat vazhdojnë në nivelet tjetra. Këtë po e them, pa involvimin e kryeministrit do të ishte e pamundur që anëtarët e kabinetit me qenë të involvuar në korrupsion ashtu si po thuhet të vlerave aq të nalta dhe kryeministri i vendit mos me qenë në dijeni", ka thënë Haradinaj.
Se sa është e sinqertë deklarata e Feith, numri një i AAK së u shpreh se një deklaratë e tillë është tregues shumë i rëndësishëm, sepse Kosova është duke pësuar dëme si pasojë e shkallës së lartë të korrupsionit.
Ai ka shtuar se qeveria nuk është duke e luftuar korrupsionin, dhe në këtë mënyrë po ia prish imazhin e vendit para bashkësisë ndërkombëtare. (BS/aktualiteti)



