Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi që të largojë një ministër të kabinetit të tij, ngase ka dëshmi të shumta për keqpërdorim të postit.
Sipas një shkrimi të “Kohës Ditore” thuhet se faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga kryeministri Thaçi shkarkimin e njërit ministër.
Dosja, që kryeministrit Thaçi i është treguar nga shërbimi inteligjent i njërit shtet anëtar të Quintit, thuhet se përmban të dhëna të mjaftueshme për të argumentuar dhjetëra milionë euro keqpërdorime të ministrit në fjalë.
Ditë më parë edhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) në Kosovë, Piter Feith, në një intervistë për “Reuters”, ka thënë se Kosova nuk mund t’i afrohet Bashkimit Evropian pa luftuar dhe pa zhdukur të keqen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sipas tij, Kosova ka nevojë të përmirësojë imazhin e saj e për këtë është shumë e rëndësishme të heqim qafe personalitetet e korruptuara në këtë vend.
Edhe zyrtarë të misionit evropian të sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, patën paralajmëruar se do të arrestohen “peshq të mëdhenj” të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar.
Madje luftën kundër korrupsionit e ka pranuar edhe vetë kreu i Qeverisë, Hashim Thaçi, në një intervistë në "Reuters" se do ta luftojmë sëmundjen e korrupsionit deri në fund.



