Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova nuk do t’i detyrojë serbët e veriut të integrohen në institucionet shtetërore, por do të kërkojë t’i bindë ata të bëhen pjesë e vendit përmes stimulimeve dhe investimeve.
Këto komente i pari i Qeverisë së Kosovës i ka thënë në një intervistë për “Reuters”.
Ai ka thënë se nuk do të ketë dhunë apo veprime të njëanshme, por vetëm dialog dhe bashkëpunim dhe çdo gjë do të koordinohet me komunitetin ndërkombëtar, NATO-n dhe institucionet tjera ekonomike.
Ne kemi një strategji me katër pika: sundimin e ligjit, krijimin e një komune të re, organizimin e zgjedhjeve të lira në tri komuna si dhe ngritjen e çështjeve socio-ekonomike është shprehur Thaçi duke shtuar se ne do të investojmë dhe ata do të jenë të lumtur të jenë pjesë e Kosovës.
Thaçi po ashtu ka thënë se planifikon të marrë pjesë në një konferencë të liderëve politikë rajonalë në Slloveni këtë muaj dhe do të jetë i gatshëm t’i shtrëngojë dorën dhe të bisedojë me presidentin serb, Boris Tadiq.
Nuk kam asnjë dilemë dhe nuk hezitoj t’i shtrëngoj dorën asnjë lideri, i cili është i zgjedhur në mënyrë demokratike, përfshi këtu edhe Tadiqin ka thënë Thaçi.
"Ne jemi liderë dhe duhet ta tejkalojmë të shkuarën e të përqendrohemi për të ardhmen" ka përfunduar kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.



