Kryeministri Hashim Thaçi ka ritheksuar të martën pasdite se në konferencën rajonale të liderëve të Ballkanit Perëndimor më 20 mars në Bërdo të Sllovenisë do të jetë pjesëmarrës si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe se vendi jonë atje do të përfaqësohet si shtet sovran dhe demokratik.
Kreu i Qeverisë së Kosovës i bëri këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin e Belgjikës, Yves Leterme.
Dilemat për pjesëmarrjen e Kosovës në konferencën rajonale nën llogon e UNMIK-ut, i ka hequr vet kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka theksuar se Kosova në Bërdo do përfaqësohet vetëm si shtet i pavarur.
“Ne kemi pasur dje një takim të shkëlqyeshëm, kur kam pritur kryeministrin e Sllovenisë, sikurse edhe nga kryeministresha e Kroacisë që kam marrë një ftesë zyrtare për pjesëmarrje në takimin e Bërdos si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kësaj ftese, unë iu kam përgjigjur pozitivisht dhe Kosova kudo që paraqitet qoftë në nivelet e bashkëpunimit regjional, qoftë në takimet e liderëve regjional, qoftë në takimet tjera paraqitet si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Kjo është edhe përgjigja njëherë e përgjithmonë sa i përket pjesëmarrjes së liderëve të Kosovës në takimet ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi. (rtv21/aktualiteti)



