Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj me bashkëpunëtorët e tij, ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë me ftesë të ministrit të Arsimit dhe të Shkencës, Myqerem Tafaj.
Vizita ka filluar të dielën, më 7 mars, ku delegacionet e të dy shteteve u takuan te Mësonjtorja e parë shqipe në Korçë, për të shënuar kështu edhe 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, ndërsa më pas ata u takuan me mësues dhe pedagogë të Korçës.
Ndërsa, në ditën e dytë të vizitës, pas bisedimeve zyrtare u nënshkrua marrëveshja 5 vjeçare për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të shkencës. Marrëveshja synon të intensifikojë dhe të garantojë bashkëpunimin bilateral midis dy vendeve mbi bazën e realizimit të objektivave të përbashkëta për arritjet e standardeve në fushën e arsimit.
Pikat kryesore në të cilat mbështet marrëveshja prekin bashkëpunimin në fushën e kurrikulave në sistemin parauniversitar dhe atë universitar për shkëmbimin e nxënësve, studentëve dhe profesorëve.
Bashkëpunim më i ngushtë i projekteve të përbashkëta të kërkimit shkencor dhe hulumtumtimit, është një nga pikat e marrëveshjes, e cila poashtu, parashikon hartimin e diplomave të përbashkëta sipas standardeve të Bashkimit Evropian, ndërsa palët do të ofrojnë edhe bursa për studime universitare, pasuniversitare dhe kërkimore sipas mundësive të të dy palëve.
Të dy palët, po ashtu janë pajtuar që të punojnë së bashku për lehtësimin e procedurave për njohjen reciproke të certifikatave, diplomave, titujve dhe gradave shkencore të lëshuara nga institucionet arsimore të të dy palëve.
Për realizimin e kësaj marrëveshje Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të ngrenë grupet e punës për: arsimin e lartë, kërkimin shkencor, arsimin parauniversitar, tekstet shkollore, zhvillimin e kurrikulës, arsimin profesional, reformën e decentralizimit si dhe binjakëzimin e shkollave, që do të takohen në mënyrë të alternuar në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës.
Një pikë e marrëveshjes është edhe se “Palët do të inkurajojnë binjakëzimin e shkollave në të gjitha nivelet. Nxënësit dhe studentët do të shkëmbejnë vizita, duke organizuar aktivitete të përbashkëta kulturore dhe arsimore, si dhe projekte me tema të interesit të përbashkët”, pikë e cila veq ka filluar së implementuari nga vet të parët e arsimit të dy shteteve.
Ministrat Hoxhaj dhe Tafaj vizituan shkollën 9-vjeçare “Sadik Stavileci” në Kashar të Tiranës, gjatë së cilës u bë edhe binjakëzimi i kësaj shkolle me shkollën “Gjon Buzuku” të Prizrenit.
Gjatë një konference për media që kanë pasur të dy ministrat, pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Hoxhaj tha se kjo marrëveshje nënshruhet mes dy vendeve tona të pavarura, të cilat e prezantojnë edhe një hapësirë të përbashkët kulturore, por që synojnë që të arrijnë në bashkimin evropian, të kemi standarde të përbashkëta në arsim dhe cilësia të jetë qëllim i yni i përbashkët drejt integrimit të sistemeve evropiane dhe në hapësirën evropiane të arsimit. “Në proces të reformimit të sistemit dhe ndërtimit të sistemit arsimor, ne do të kemi bashkëpunim të thelluar me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës së Shqipërisë”, tha ministri Hoxhaj.
Delegacioni nga Kosova, i prirë nga ministri Hoxhaj, të hënën është pritur në takime të ndara edhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.
Gjatë takimit që ka pasur me presidentin Bamir Topi dhe kryeministrin Sali Berisha, ministri Hoxhaj ka biseduar ndër të tjera edhe për Universitetin e Prizrenit, ngjarje kjo që nga të gjitha palët është vlerësuar si një e arritur e madhe dhe me interes për të dy shtetet.
Krerët e shtetit shqiptar vlerësuan punën e bërë në drejtim të arritjes së bashkëpunimit të të dy vendeve në fushën e arsimit, ndërsa siguruan ministrin Hoxhaj se do të bëjnë përpjekje dhe janë të gatshëm që ky bashkëpunim të jetë në dobi për të dyja vendet.
Në të gjitha takimet që ka pasur ministri Hoxhaj, gjatë vizitës në Shqipëri ka ftuar edhe komunitetin akademik që të japin kontributin e tyre dhe të aplikojnë për të qenë pjesë e Universitetit të Prizrenit.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni nga Kossova është shoqëruar edhe nga ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Gazmend Pulaj.



