“Java e Kuvendit” të Republikës Kosovës sivjet do të mbahet nga 15 deri më 26 mars.
Kështu ka vendosur sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e drejtuar nga kryeparlamentari Krasniqi.
Nga data 15 deri më 26 mars planifikohet që kryetari i Kuvendit të Kosovës, i shoqëruar nga anëtarë të Kryesisë, sekretari i Kuvendit, si dhe
deputetë nga zona, do të vizitojnë pesë komuna të Republikës së Kosovës: Ferizajn, Lipjanin, Vushtrrinë, Podujevën dhe Gjakovën.
Drejtues dhe deputetë të Kuvendit do të takohen me strukturat udhëheqëse komunale, këshilltarët komunalë si dhe me qytetarë, thuhet në një njoftim për media të shërbimit përkatës të Kryesisë.
Në funksion të transparencës së punës së legjislativit të vendit, Kryesia është pajtuar që në takimet gjatë “Javës së Kuvendit” të ftohen edhe organizatat ndërkombëtare dhe vendore që e mbështesin punën e Kuvendit (NDI, OSBE, KDI etj).
Paneli drejtues i takimeve do të përbëhet nga Kryetari i Kuvendi të Kosovës, anëtarë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i komunës përkatëse, kurse temat për diskutim do të jenë: zhvillimet aktuale politike, objektivat e Kuvendit të Kosovës dhe çështje të tjera me interes për komunat përkatëse.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë është shqyrtuar edhe çështja e mbikëqyrjes së raporteve dhe të mandateve të agjencive të krijuara nga Kuvendi i Kosovës.
Kryesia ka autorizuar anëtarët e saj, Sabri Hamitin dhe Xhavit Halitin, për të organizuar një takim të përgjegjësve të këtyre agjencive dhe të komisioneve parlamentare që i mbulojnë ato, për ta shqyrtuar çështjen dhe njoftuar Kryesinë e Kuvendit për rezultatet e takimit.



