Kosova ka marrë mbështetjen e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për realizimin e objektivave të procesit integrues të saj në BE, kanë thënë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Pas takimit të mbajtur në Vjenë, të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i cili ka rolin e mbikëqyrësit të shtetit më të ri, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, ka thënë se vendet anëtare u kanë dhënë mbështetje angazhimeve të Kosovës për zbatimin e prioriteteve që kanë të bëjnë me perspektivën evropiane të Kosovës dhe me liberalizimin e vizave.
Kurse në mesin e shumë çështjeve, Krasniqi ka thënë të jetë diskutuar edhe për strategjinë për integrimin e veriut të Kosovës.
“Ne besojmë se Qeveria e Kosovës, nga ajo që u tha, ka marrë mbështetje të fuqishme për të gjitha angazhimet e veta në drejtim të realizimit të objektivave që dalin nga raporti i progresit të vitit 2009, zhvillimet në drejtim të liberalizimit të vizave, pastaj të marrëdhënieve tregtare me BE-në si dhe është diskutuar për strategjinë për veriun e vendit dhe për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ekonominë kosovare”, ka deklaruar Krasniqi.
Në Vjenë Raportin për arritjet dhe sfidat në Kosovë e ka prezantuar i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, diplomati holandez, Piter Feith, i cili njëherësh është edhe Përfaqësues Civil Ndërkombëtar.
Kurse nga pala kosovare, ka folur kryeministri, Hashim Thaçi i cili ndër të tjera ka thënë se "Qeveria, do të vazhdojë t'i kryej obligimet tona për qeverisje të mirë, sundim të ligjit, luftë të pakompromis kundër dukurive negative, zhvillim ekonomik dhe integrime Euro Atlantike. Personalisht, dhe bashkë me gjithë Kabinetin tim Qeveritar, jemi të përkushtuar në punë, në adresimin e sfidave të identifikuar në Raportin e Progresit të vitit 2009. Unë e kam objektiv parësor për këtë vit që Raporti i Progresit për vitin 2010 për Kosovën të jetë pozitiv. Për këtë qëllim kam vënë në dispozicion të gjitha resurset njerëzore dhe materiale". " Por unë dhe Qeveria ime nuk mund t'i adresojmë njëanshëm të gjitha sfidat që na presin, prandaj pa asnjë hezitim, kërkoj partneritet nga të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë që janë në Kosovë, në veçanti nga Komisioni Evropian, që të punojnë ngushtë me mua dhe Qeverinë time, që t’i bëjmë qytetarët e Republikës së Kosovës krenarë që janë pjesë e kulturës dhe qytetërimit Evropian dhe perëndimor".
Krasniqi ka thënë se theksi i deklaratës së Thaçit ka qenë i përqendruar në rezultatet, proceset dhe sfidat, me të cilat po ballafaqohet Kosova.
“Ka qenë një diskutim i drejtpërdrejtë, i hapur në mesin e mbështetësve të Republikës së Kosovës, ku janë diskutuar të gjitha çështjet, mes të cilave do të ndanim edhe aspektet politike, ekonomike e sociale”, ka theksuar Krasniqi.
GDN përbëhet nga 25 vende që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Takimi i sotëm në Vjenë është mbajtur në nivelin e drejtorëve politik të këtyre vendeve për Ballkanin. (Radio Evropa e Lirë/Atkualiteti)