;)

Thaçi e Feith në Vjenë para Grupit Drejtues Ndërkombëtar

Në Vjenë të Austrisë sot mbahet takimi i shteteve anëtare të Grupit Ndërkombëtar Drejtues (GND), ku si  temë diskutimi do të jenë zhvillimet në Kosovë.

Në  takim marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar,  njëherësh Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian Piter Feith.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka theksuar se para Grupit Drejtues Ndërkombëtar do të flas për zhvillimet në Kosovë si shtet i pavarur e sovran, me një shoqëri demokratike e multietnike.

 

"Do të flas për zhvillimet në Kosovë, si shtet i pavarur sovran me një shoqëri demokratike dhe shumetnike, për procesin elektoral që e kaluam me një standard shumë të lartë demokratik, me gjithëpërfshirje, për zgjedhjen e kryetarëve të rinj legjitim, për suksesin në procesin e decentralizimit dhe zgjedhjen e liderëve të rinj edhe në katër komunat e reja, për angazhimet tona në FMN dhe Bankën Botërore dhe përpjekjet tona për anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim", ka thënë Thaçi.

Ai  ka shtuar se theks të veçantë në raportimin e tij do të ketë edhe zbatimi i Kushtetutës dhe zbatimi i plotë i ligjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Para përfaqësuesve të shteteve anëtare të GND-së do të flasë edhe shefi i ICO-së Piter Feith, ku në këtë takim gjithashtu do të rishikohet edhe mandati i tij.

Pas shpalljes së pavarësisë të Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008, me kërkesë të udhëheqësve të Kosovës, më 28 shkurt 2008 një grup i shteteve formoi Grupin Ndërkombëtar Drejtues.

Shtetet anëtare të GND-së janë Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika e Çekisë, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Hungaria, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Polonia, Sllovenia, Zvicra, Suedia, Turqia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: