Marrëveshja Bruksel-Beograd në pritje?

Sot pritet marrëveshja përfundimtare ndërmjet Serbisë e Bashkimit Evropian mbi përmbajtjen e rezolutës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të KB, njoftojnë agjencitë e lajmeve të Beogradit, FoNet dhe Beta.

Harmonizimi përfundimtar i qëndrimeve mes Beogradit e Brukselit pritet të ndodhë në orët e pasdites, citojnë këto agjenci burime nga BE.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, dhe Qeveria serbe, sipas paralajmërimeve nga Brukseli, duket se do të jenë të gatshëm që pas disa “përpunimeve të imta” të tekstit të rezolutës, të pranojnë ofertën e 27-shes evropiane për paraqitje të përbashkët në shqyrtim para KB-së.

Në thelb, “bazat e përbashkëta” të BE-së, për të cilat kanë biseduar mbrëmë në Bruksel presidenti Tadiq dhe përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e Siguri e BE-së, Catherine Ashton, do të implementoheshin në tekstin e rezolutës serbe të modifikuar, të cilin misioni i Serbisë pranë KB-së, në New York, pasdite do ta dorëzonte për shqyrtimin e nesërm në Asamblenë e Përgjithshme të KB.

Paragraf kryesor në “bazat e përbashkëta”, të cilat pas përpjekjeve të mëdha dhe disa plotësimeve në anekse, ia kanë dalë t’i harmonizojnë edhe vendet e BE-së që e njohin, edhe ato që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, është oferta e BE-së për ndërmjetësim, “shërbimet e mira” në dialogun e pritshëm të Beogradit dhe të Prishtinës.

Serbia në tekstin e parë të rezolutës kishte paraqitur domosdonë për të hyrë në biseda mbi të gjitha çështjet e hapura që lidhen me Kosovën, pra edhe për statusin.

Sipas ujdisë së Beogradit me Brukselin, me gjasë, tani “formulimi i hapur” i përfshirë dhe i pranueshëm për të dy palët është që BE ofron shërbime të mira për “dialog mes dy palëve”, e me qëllim të forcimit të paqes dhe të stabilitetit në rajon, si dhe “përparimit në rrugën drejt BE-së” dhe “jetës më të mirë të njerëzve”.

Bazat e miratuara përmbajnë edhe formulimin “merret në dijeni” se synimet e Ashtonit për bisedime me Tadiqin nuk e vënë në dyshim të drejtën e anëtarëve të BE-së që marrëdhëniet me Kosovën t’i bazojnë në harmoni me praktikat e veta dhe të drejtën ndërkombëtare.

Zëdhënësja e përfaqësues së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Maja Kocjançiç, ka konfirmuar se Boris Tadiq dhe Catherine Ashton, “kanë vazhduar kontaktet edhe sot”, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Ajo po ashtu ka thënë se “po vazhdon puna për mirëkuptim reciprok, kurse qëndrimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është fare i qartë”

 

 

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: