Autoritetet e rendit në Kosovë kanë dhënë zotimin të martën se do t’u përgjigjen me forcë provokimeve të njësive ilegale të sigurisë që veprojnë në veri të vendit, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Reagimi ka ardhur pas raportimit në media se një ditë më parë krerët e njësive të MPB-së serbe janë mbledhur urgjentisht në Zveçan dhe janë urdhëruar nga kryeshefi i kësaj strukture për rajonin e Mitrovicës, Gjorgje Dragojeviq (Xholle), që të intensifikojnë patrullimet, si dhe të sulmojnë pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës, në rastet kur ata paraqiten në veri.
Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, i ka thënë “Kohës ditore” se nuk do të kursehet kurrfarë mjeti ndaj kësaj strukture, ani se ka vlerësuar se këto deklarime përbëjnë vetëm provokime verbale.
Nëse ndodh një sulm i tillë, hipotetikisht po themi, do t’i përgjigjemi me gjuhën çfarë duhet, pra me formën e tillë, sepse edhe Policia e Kosovës, edhe EULEX-i, e edhe KFOR-i e kanë edhe gatishmërinë, edhe forcën e mjaftueshme, e edhe kapacitetin për ta mbajtur sigurinë në nivel, ka thënë Rexhepi.
Nëse ka nevojë, edhe njësitë speciale, me kërkesë të EULEX-it dhe të Policisë, do të jenë në përkrahje të tyre, sepse duhet të ruhet siguria, rendi dhe ligji.
Ministri Rexhepi ka theksuar se prezenca e strukturave të MPB-së serbe ekziston, por si një formacion civil.
Sipas tij, të vetmet institucione legale për të siguruar rendin dhe ligjin edhe në pjesën e veriut janë Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i.
Mirëpo krahas MPB-së serbe, atje vepron edhe një strukturë tjetër ilegale e sigurisë, e cila njihet si Shërbimi i Mbrojtjes Civile.
Ish-pjesëtarë të saj kanë hyrë me forcë të martën në komunën ilegale të veriut të Mitrovicës, duke kërkuar kthimin në punë dhe largimin e pjesëtarëve që nuk janë nga Kosova.
Zyrtarët e komunës ilegale kanë kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës, por ajo nuk u është përgjigjur, sepse i konsideron jolegjitime strukturat paralele.
Zëdhënësi policor i rajonit të Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se policia ka qenë në dijeni për një protestë të tillë dhe për hyrjen me dhunë të protestuesve në objekt.
Ai është shprehur se policia është e gatshme të reagojë në rast të prishjes së rendit dhe qetësisë publike.
Ndërkaq ministri Rexhepi është shprehur që aktivitetet në veri do të jenë të koordinuara me KFOR-in dhe EULEX-in, por ka lënë të hapur mundësinë që vetë njësitë speciale (ROSU) të veprojnë pa pasur koordinim me të dy mekanizmat ndërkombëtare të sigurisë.
Unë kam thënë se gjatë aksioneve të ndjekjes së kriminelëve të ndryshëm, nëse ka filluar aksioni në pjesën jugore dhe ka hyrë në pjesën veriore, njësitë speciale kanë shkuar dhe i kanë arrestuar në pjesën veriore, ka theksuar ministri Rexhepi.
Nëse do të bëhet ndonjë aksion i planifikuar, koordinohet me EULEX-in, por në rastin kur nuk është i planifikuar atëherë nuk ka kohë për planifikim dhe kjo nuk do të jetë pengesë që të intervenohet në çdo pjesë të territorit të Kosovës, ka shtuar ai.
Vetë Qeveria në Beograd vazhdon ta mohojë aktivitetin e MPB-së serbe në Kosovë, ani se deri tash janë gjetur prova se pjesëtarë të kësaj strukture janë të pranishëm në komunat në veri.
Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë serbe, e ka theksuar këtë, por ka vlerësuar se edhe prezenca e njësive speciale të Policisë së Kosovës nuk është e pranueshme në veri.
Forcat e policisë dhe EULEX-i janë në veri dhe është e nevojshme të sillemi sa më kujdesshëm dhe të mos merren vendime të dëmshme politike, sikur është rasti me forcat speciale.
Prishtina dhe Beogradi duhet të ulen dhe të diskutojnë edhe për këtë çështje dhe çfarëdo marrëveshjeje që do të bëhej do të ishte e pranueshme, ka thënë Ivanoviq, duke shtuar se sa i takon prezencës së MUP-it, ajo nuk qëndron aspak.
Si të jashtëligjshme e me ndikim negativ në siguri dhe fusha të tjera konsiderohen të gjitha strukturat paralele serbe nga Prishtina zyrtare dhe mekanizmat ndërkombëtarë.
Por, shpërbërja e tyre po merr kohë, ndërsa nuk ka ndonjë plan të detajuar, të paktën jo të publikuar, për shuarjen e tyre.
Serbia vetëm për këtë vit ka ndarë mbi 40 milionë euro për strukturat paralele serbe në Kosovë.
Ndërkohë Qeveria kosovare ditë më parë ka zotuar rreth 18 milionë euro për komunat me shumicë serbe gjithandej Kosovës.
Deklarata se duhet të shuhen strukturat paralele serbe janë dhënë që nga koha e UNMIK-ut, për të vazhduar edhe te mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë në Kosovë, që tani merren me sigurinë në vend.
Por në komunat veriore në Kosovë strukturat paralele kontrollojnë pushtetin.
Më të rrezikshmet konsiderohen ato të sigurisë.



