Maqedonia do të votojë përfundimisht kundër propozim-rezolutës serbe të parashtruar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kundër pavarësisë së Kosovës.
Dilemat se mund të ketë vendim që Maqedonia të tregohet e përmbajtur ose diçka të tillë kanë rënë poshtë, pasi MPJ e këtij vendi nëpërmjet një njoftimi deri të ambasadat ka dërguar instruksione të qarta se si Maqedonia duhet të votojë.
Në lidhje me propozim-rezolutën e Serbisë ku kërkohet që Kombet e Bashkuara ta shqyrtojnë atë në mbledhjen e 64, Maqedonia do të votojë kundër Serbisë për formulimin e atillë të tekstit të propozim rezolutës, shkruan mes tjerash në instruksionin e nënshkruar nga Sekretari shtetëror i MPJ-së, dërguar ambasadorit të Maqedonisë në Kombet e Bashkuara në New York, Sllobodan Tashovski.
Siç raporton 'Lajm Press', instruksioni është dërguar edhe në ambasadat e Maqedonisë në vendet tjera, bashkë me një sqarim për mënyrën se si duhet ata të mbrojnë këtë vendim.
Në njoftimin, sugjerohen ambasadorët që me bashkëbiseduesit e tyre ndërkombëtarë të theksojnë se teksti i draft-rezolutës së Serbisë është kundërproduktiv dhe se në mënyrë plotësuese i komplikon marrëdhëniet Prishtinë-Beograd, si dhe mund të ketë pasoja negative ndaj sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Sipas burimeve diplomatike të 'Lajmit, nëse Serbia e ndryshon propozim tekstin e rezolutës aktuale, atëherë do të marrë një vendim tjetër për mënyrën e votimit.
Me këtë vendim, Maqedonia konsideron se do t’i ndërtojë raportet edhe më shumë me Kosovën, duke qëndruar në krah me vendet që e mbështetin rajonin drejt integrimit dhe shpreson që ajo së shpejti të marrë datë për fillimin e bisedimeve për hyrje në BE.



