Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë arritur marrëveshje për ofertën e fundit që do t’i bëhet Serbisë lidhur me projektrezolutën për Kosovën të cilën Beogradi e ka deponuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së.
Burime të gazetës Express thonë se Washingtoni dhe Brukseli kërkojnë që Serbia të tërheq rezolutën nga OKB dhe në vend të saj të deponohet rezoluta e hartuar nga diplomatë amerikanë dhe evropianë.
SHBA dhe BE nuk pranojnë që rezoluta serbe të zbutet përmes amendamenteve.
Ata kërkojnë që Serbia patjetër të tërheq rezolutën e vet, kanë thënë burime të gazetës.
Për unifikimin e qëndrimit mes shteteve perëndimore të hënën ka pasur takime edhe në Bruksel edhe në New York.
Mësohet se edhe Qiproja ka lëshuar pe dhe është rreshtuar me shtetet tjera të Bashkimit Europian.
Oferta e diplomacisë perëndimore do t’i kumtohet të presidentit serb Boris Tadiç, të martën në Bruksel, nga Përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Katerine Eshton.
Ky takim është afati i fundit kohor për Serbinë për arritjen e një pajtimi me shtetet perëndimore.
Nëse Tadiç nuk pajtohet, do të përballet me votën kundër të të gjitha shteteve të BE’së, SHBA’së dhe aleatëve të tyre, ka thënë burimi.
Sa i përket votimit të rezolutës serbe, edhe përfaqësues të Qeverisë së Serbisë, disa herë kanë theksuar se gjasat për të mbledhur shumicën e votave janë mision i pamundshëm.
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se Serbia nuk planifikon të tërheqë rezolutën e deponuar në OKB.
Ne nuk planifikojmë të tërheqim rezolutën tonë.
Mirëpo, po zhvillohen bisedime dhe negociata intensive me të gjithë faktorët ndërkombëtar, përfshirë ata nga BE.
Nëse arrihet marrëveshje, atëherë ajo mund të zbatohet pa e tërhequr rezolutën, ka thënë Jeremiç, për Radio B92.
Ai thotë se rezoluta nuk është qëllim, por mjet për arritjen e qëllimit dhe Serbia në seancën e Asamblesë së Përgjithshme dëshiron të arrijë përmbyllje të procesit nga Gjykata
Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe konkluzioni të jetë i tillë që të mundësojë vazhdim të përpjekjeve që Serbia të pengojë zbatimin e shtetësisë së njëanshme të Kosovës.
Qëllimi i dytë është hapja e rrugës për negociata të reja të cilat do të çojnë deri të kompromisi për zgjidhjen për Kosovën.
Së treti, dëshirojmë të vendosim paqe dhe stabilitet në rajon duke eliminuar rrezikun nga vendosja e precendentit e kjo do të thotë se përmes akteve të njëanshme mund të krijohen shtetet e reja.
Së katërti, të mos hyjmë në konflikt dhe konfrontim me shtetet me të cilat nesër dëshirojmë të jemi partnerë, ka thënë Jeremiç.
Kryetari i komitetit për politikë të jashtme në Parlamentin serb, Dragoljub Micunoviç, thotë se një variant i zgjidhjes do të ishte pranimi i formulimeve të BE’së përmes amendamenteve dhe pranimi i tyre nga Serbia.
Tërheqja e rezolutës nuk i konvenon Serbisë, ka thënë ai.
Sipas tij, Beogradi po punon me Spanjën dhe Greqinë për hartimin e një rezolute të re të përbashkët.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar se Beogradi është i gatshëm për kompromis kur është fjala për Rezolutën mbi Kosovën, por jo që me këtë dokument të verifikohet pavarësia e Kosovës, njofton FoNet.
Serbia është e gatshme për kompromis, por nuk besoj se asnjë pushtet do ta pranonte kompromisin që nënkupton se me rezolutën verifikohet pavarësia e Kosovës, ka thënë Daçiç, të hënën në Beograd, me ministrin kroat të Punëve të Brendshme, Tomisllav Karamako.
Daçiç është shprehur se verifikimi i pavarësisë së Kosovës përmes Rezolutës nuk do të ishte kompromis, por shmangie nga parimet e përcaktuara shtetërore.
Serbia duhet të mbrojë integritetin, por duhet të ketë kujdes edhe për bashkëpunimin me fuqitë që sot vendosin në botë, ka thënë ai.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve rreth refuzimit eventual të rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB’së, Daçiç ka thënë se kjo do të mund të shkaktonte humbjen e besimit të qytetarëve të Serbisë në drejtësinë e bashkësisë ndërkombëtare, për shkak të veprimit sipas standardeve të dyfishta.



