Tribunali i Hagës ka njoftuar se gjyqtari Bakone Justice Moloto, përgjegjës për rastet që kanë të bëjnë me krimet e kryera në Ish-Jugosllavi, ka pranuar të jetë gjyqtar kryesues i procedurës paraprake në "rastin Haradinaj”.
Gjyqtari Moloto ka pranuar të jetë gjyqtar në këtë rast.
Atij i ishte kërkuar një gjë e tillë më 21 korrik të këtij viti, thuhet në komunikatë.
Tani pas kompletimit të trupit gjykuese, pritet të shqyrtohet së shpejti lirimi me kusht i Haradinajt.
Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi ende nuk ka marrë vendim për lirimin me kusht të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, pas kërkesës së palës mbrojtëse që ai të mbrohet në liri.
Zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Nerma Jelaqiq tha të hënën, se Dhoma e Apelit po e shqyrton rastin dhe se ende nuk dihet se kur do të merret vendimi.
Sidoqoftë ajo tha se vendimi do të bëhet i ditur edhe për qytetarët e Kosovës, por që tani për tani nuk ka vendim dhe nuk ka ndonjë seancë publike në lidhje me vendimin për Haradinajn.
Tash për tash, nuk mund të them asgjë, nëse vendimi do të merret sot, pasi që për këtë vendos trupi gjykues, ka thënë Jelaqiq.
Zëvendësshefi i EULEX-it , Roy Reeve, në fund të muajit gusht, përmes një letre i kishte ofruar Tribunalit të gjitha garancitë e kërkuara për lirimin me kusht të Haradinajt.



