Mustafa: S'jam në ekip të Bukoshit

Ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, ka konfirmuar kandidaturën e tij për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Për më shumë, ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, ka thënë se tashmë e ka formuar edhe ekipin zgjedhor dhe se në këtë garë gëzon përkrahjen e të birit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova, Ukës, por edhe të zyrtarëve të tjerë, duke mos përjashtuar as kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa.

Mirëpo, Isa Mustafa, i pyetur rreth deklaratave të ministrit Bukoshi se në kandidaturën për kreun e LDK-së ai ka krijuar edhe ekipin zgjedhor, ku bën pjesë edhe Mustafa, i pari i Prishtinës, nëpërmjet telefonit, i ka deklaruar “Zërit” se ai nuk i takon asnjë ekipi.

Unë nuk i takoj asnjë ekipi. E respektoj anëtarësinë e LDK-së, i respektoj të gjitha forumet e partisë dhe do t’i respektoj të gjitha procedurat zgjedhore, është shprehur Mustafa, i cili potencon se edhe më herët ka deklaruar se LDK ka kryetarin e saj.

Megjithatë, Bukoshi ka thënë se është i shqetësuar rreth mënyrës se si do të shkojë procesi zgjedhor brenda LDK-së, dhe se do të angazhohet që ai të jetë i qetë, demokratik e në përputhje me të gjitha rregullat e lojës në një parti moderne.

Mirëpo, nëse ndodh e kundërta, Bukoshi ka paralajmëruar se do ta ngrejë zërin dhe se nuk do të jetë i vetmi në këtë aspekt, pasi që siç u shpreh ai, nuk do të lejohen përvojat e hidhura të së kaluarës, të cilat kanë dëmtuar LDK-në.

 

 

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: