Dita ndërkombëtare e të zhdukurve në Kosovë ka një dimension të veçantë, për faktin se Kosova akoma pret zbardhjen e fatit të shumë qytetarëve të saj.
Në Kosovë ende nuk dihet asgjë për fatin e rreth dy mijë qytetarëve të Kosovës, të cilët u rrëmbyen me forcë nga policia, ushtria dhe paramilitarët serbë gjatë luftës së viteve 1998-‘99.
Qeveria e Republikës së Kosovës, duke bashkëndjerë me të gjithë familjarët e të zhdukurve, bashkohet me botën demokratike, e cila shënon sot 30 gushtin – Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.
Në këtë ditë bashkohemi me ndjenjat dhe thirrjen e familjarëve nga e tërë Kosova për zbardhjen e fatit të të gjithë të zhdukurve, thuhet në një deklaratë të lëshuar për medie.
Përmes kësaj komunikate, Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet se do të angazhohet me tërë kapacitetet e saja vepruese për të kontribuar në zbardhjen e fatit të të gjithë qytetarëve të zhdukur gjatë luftës.
Ne thërrasim në ndërgjegjen e autoriteteve të shtetit të Serbisë, dhe presim nga faktorët ndërkombëtarë të ushtrojnë trysni te këto autoritete, për të ofruar të dhënat për qytetarët tanë të zhdukur gjatë luftës, theksohet në komunikatën e lëshuar nga Zyra për Shtyp pranë Kryeministrisë.



