Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u nis sot për një tur vizitash në vendet e Amerikës Qendrore.
Kryefjala e axhendës zyrtare të ministrit Meta do të jetë njohja e Republikës së Kosovës pas opinionit të GJND-së, si dhe përgatitjet për fillimin e punimeve të Sesionit të 65-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Këto janë vizitat e para të një kryediplomati shqiptar në historikun e marrëdhënieve dypalëshe me këto vende.
Zyra e shtypit pranë MPJ-së, njofton se ministri Meta do të vizitojë Republikat e Guatemalës, Salvadorit dhe Hondurasit, me qëllim nxitjen e dialogut politiko-diplomatik me këto vende.
hellimi i njohjes dhe bashkëpunimit me këto vende do të sjellë arritjen e rezultateve konkrete në fusha me interes të ndërsjellë, si dhe do të ndihmojë në krijimin e një baze më të gjerë të bashkëpunimit, duke veçuar fushat ekonomike, kulturore, etj.
Pas shpalljes së opinionit nga GJND-ja, më 22 korrik, për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka filluar një fushatë të gjerë lobingu në vendet që nuk e kanë njohur ende shtetin më të ri në Europë, duke e vënë theksin në rëndësinë që ka njohja e pavarësisë së Kosovës për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.



