Konkursi për afatin e dytë të regjistrimit të studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës, pritet të shpallet nga mesi i muajit shtator.
Zyrtarë nga rektorati, bënë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme edhe për këtë afat.
Zyrtari për informim në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, Isuf Ibërdemaj, ka thënë për 'Radio Kosovën, se konkursi i afatit të dytë për pranimin e studentëve pritet të shpallet nga mesi i muajit shtator.
Supozojmë që rreth datës 10 të mblidhet senati i Universitetit dhe aty merret vendim se kur do të shpallet afati i dytë i konkursit, tha Ibërdemaj, duke theksuar se janë bërë të gjitha përgatitjet edhe për afatin e dytë të konkursit.
Ndërkohë, degët më të preferuara nga ana e studentëve janë mbyllur që në afatin e parë.
Zyrtari për informim në rektorat, Ibërdemaj tha se studentët kanë mundësi që në afatin e dytë të konkurojnë në degët e tjera të lira në fakultetet e Universitetit të Prishtinës.
Me konkursin e afatit të dytë, plotësohet edhe numri i studentëve që do të pranohen në Universitetin e Prishtinës.
Për vitin e ri akademik janë paraparë të pranohen rreth 18 mijë studentë të rinj.



