Politikani Sinan Hasani vdiç në Beograd

Ka vdekur në Beograd Sinan Hasani, politikani kontrovers dhe njëri nga ato pak figura udhëheqëse të Kosovës, të periudhës së socializmit, që ende jetonte.

Ai vdiq sot në moshën 88 vjeçare. I lindur në Pozharan të Vitisë, pasi ndoqi Medresenë e Madhe në Shkup, u përfshi në radhët partizane që më 1941, kurse më 1944 u zu rob nga forcat gjermane, për ta pritur lirimin nga kampi nazist i Vjenës pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ai bënte pjesë në radhët atyre që nuk zbritën nga skena udhëheqëse politike të Kosovës gjatë gjithë periudhës së socializmit.

Ushtroi funksione të larta politike në Kosovë e në nivel të ish-Jugosllavisë, nga kryetar i Lidhjes Socialiste deri kryetar i Kryesisë partiake të Kosovës, të Kuvendit dhe të Kryesisë së Jugosllavisë deri në fund të dekadës së tetë të shekullit që e lamë, kur nisi zhbërja e Federatës jugosllave.

Gjatë viteve dramatike në Kosovë, sidomos në periudhën 1981-1990, mbajti qëndrim të padinjitetshëm karshi zhvillimeve këtu, sidomos karshi tendencave e synimeve serbe ndaj shqiptarëve.

Në këto viti shkroi librin “Kosova: të vërteta dhe mashtrimet”, me të cilin sipas shijes së Beogradit denigroi historinë dhe idealet kombëtare të shqiptarëve, në kundërshtim me porositë e romaneve të tij “Era dhe Lisi”, “Një natë e turbullt” dhe të tjera, disa nga të cilat edhe u ekranizuan.

Ishte edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ishte edhe drejtor i “Rilindjes”.

Ai gjatë dekadave të fundit, pas pensionimit nga politika, jetoi në Budva të Malit të Zi, kurse në Kosovë nuk u kthye për të jetuar, pos në vizita.

Vdiq pas një sëmundje të rëndë në një spital të Beogradit, ku u kthye në vitin e fundit të jetës.

Ende nuk dihet se ku do të varroset, ka thënë i biri i tij, Iliri, i cili pas shumë vitesh qëndrimi në SHBA është kthyer në Beograd.

Të afërmit në Kosovë thonë se do të varroset në vendlindje.

 

 

 

Komento


Emri:

E-mail:

Komenti: